Beqiri-Belisha, nje jave kohe per t’u larguar

09/08/2009 09:45

Vllaznia rihap perkohesisht deren per Elvin Beqirin dhe Amarildo Belishen. Dy futbollistet i jane bashkuar me 24 ore vonese kontingjentit te drejtuar nga Hasan Lika, qe ka filluar fazen finale te pergatitjeve ne Puke.

Pas “perjashtimit” te se premtes, klubi dhe “veteranet” gjeten akordin per ta zgjatur edhe nje jave “bashkejetesen”. Mbrojtesi i Kombetares dhe mesfushori do te sterviten me skuadren, por kane nje jave kohe ne dispozicion qe te gjejne nje “strehe” te re.

“Dy lojtaret i jane bashkuar skuadres dhe qe prej dites (djeshme) se sotme u sterviten me pjesen tjeter te grupit. Ata udhetuan gjate paradites drejt Pukes dhe moren pjese ne seancen stervitore te pasdites”, pohuan burime prane klubit shkodran.

“Megjithate, kjo nuk do te thote se Beqiri dhe Belisha do ta kene te sigurt vendin ne skuadren e sezonit te ardhshem. Ne fakt, drejtuesit u komunikuan futbollisteve se kane kohe deri te shtunen e ardhshme, pra nje jave, qe te gjejne ndonje ekip tjeter per t’u aktivizuar. Nese ne perfundim te ketij afati ata do te vazhdojne te jene pjese e Vllaznise, atehere klubi merr ne dore fatin e futbollisteve”.

Nje marreveshje aspak e leverdishme per sportistet, pasi kjo do te thote  se ata do te jene plotesisht ne doren e klubit. Ne fakt, nese pas shtate diteve Elvin Beqiri dhe Amarildo Belisha nuk do te levizin, cdo vendim per te ardhmen e tyre do te merret ekskluzivisht nga Vllaznia, sipas interesave te klubit. Kjo duke filluar qe prej pageses qe do te perfitojne gjate qendrimit, shkembimit me lojtare te tjere, ose shitjes. Burimet shtuan:

“Nese deri te shtunen e ardhshme ata nuk do te jene larguar, me pas cdo vendim do te merret nga klubi, me kushtet qe drejtuesit mendojne se jane ne interes te Vllaznise. Pra: lojtareve mund t’u ofrohet rroge me e ulet, ata mund te shkembehen me elemente te tjere qe tekniku Lika i cileson te rendesishem per perforcimin e grupit, ose mund te shiten vetem me kushtet qe do te percaktohen nga klubi”.

Nuk perjashtohen as kontaktet personale te futbollisteve me klubet e ndryshme te Superiores, qe gjithsesi duhet te permbushin pretendimet financiare te presidentit Valter Fushaj.

Per Belishen eshte perfolur gjate nje shkembim me mesfushorin e Beses, Artion Poci, nderkohe qe nje alternative  eshte edhe kampionati norvegjez. Ne anen tjeter, Beqiri, duket ne nje situate disi me te mire. Mbrojtesi, i cili ka kontrate deri ne dhjetor, eshte ende ne pritje te nje telefonate nga skuadrat jashte Shqiperise. Ne ambiciet e tij per te tentuar nje tjeter aventure europiane (pas aktivizimeve ne Rusi, Ukraine e Izrael), ne ndihme mund t’i vije edhe miqesorja e 12 gushtit qe Kombetarja do te luaje ne “Qemal Stafa” me Qipron.

Aty 28-vjecari ka shansin te binde menaxheret qe vezhgojne vazhdimisht perfaqesuesen. Nese transferimi ne nje kampionat te huaj nuk do te realizohet, kuqeziu mund te shfrytezohet per te arritur tek Arjan Pisha i Dinamos. Fillimisht kjo piste u duk e veshtire per t’u realizuar, por ne situaten aktuale asgje nuk mund te perjashtohet. Per me teper qe ne Shkoder kane tentuar gjate te bindin kapitenin e Dinamos te luaje ne “Loro Borici”.

Top Channel