Digjen 2800 rrenje hashash, parcelat pa pronar

11/07/2009 09:05

Pas aksionit te pak diteve me pare ne zonen e Malesise se Madhe, policia beri asgjesimin e 2800 rrenjeve kanabis sativa ne Malesite e Shkodres.

Burime zyrtare nga policia bejne te ditur se aksioni ka nisur dje ne oret e para te mengjesit, ne fshatin Mazrek, te Komunes Gur i Zi, ne Shkoder, zone e njohur tradicionalisht si kultivuese e rregullt e lendeve narkotike.

Burime nga policia pohuan se operacioni nuk erdhi pas ndonje informacioni te marre ne rruge operative, por vetem duke u nisur nga fakti se keto zona çdo vit kultivojne sasi te madhe lendesh narkotike. Fillimisht eshte bere nje vezhgim i zones dhe eshte konstatuar se po ne te njejtat parcela ku nje vit me pare ishte kultivuar kanabis serish jane gjetur rrenje te tij.

Si rezultat i operacionit u be identifikimi dhe asgjesimi i 2826 rrenje bimesh narkotike, kanabis sativa. Disa mostra te bimes jane derguar ne laborator, ndersa pjesa tjeter eshte djegur. Bima narkotike eshte gjetur e kultivuar ne disa zona: ne vendin e quajtur Koder Shengjergji ne faqen e kodres ne krah te liqenit te Vaut te Dejes ku u gjeten 5 parcela me 630 rrenje, ndersa ne majen e kodres u gjeten 4 parcela me 1120 rrenje.

Ne vendin e quajtur “Meshkalle e Poshtme”, te fshatit Mazrek, u gjeten 5 parcela me 496 rrenje, ndersa te “Varrezat e Meshkalles se Siperme” u gjeten 6 parcela me 580 rrenje kanabis sativa. Pas asgjesimit te bimeve narkotike, policia ka nisur punen per identifikimin e autoreve. Mesohet se identifikimi i tyre veshtiresohet nga fakti se bima eshte kultivuar ne zona malore qe nuk kane pronare te ligjshem. Kjo ben qe policia, çdo sezon veror, te shnderrohet ne kooperativist qe korr mijera bime narkotike ne te njejtat parcela qe shkon çdo vit, ndersa autoret mbesin anonime.

Top Channel