Vata, gol pas 10 javësh në Gjermani

18/05/2009 08:40

Fatmir Vata rikthehet te goli në Bundesligën II gjermane. Sulmuesi 38-vjeçar ka shënuar golin deciziv në fitoren 2-1 që Koblenci ka arritur në fushën e saj përballë St. Paulit.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me Sukalon vetëm pas 2 minutave lojë. Miqtë barazuan në të 32-ën me Ebers, por festa e tyre zgjati fare pak, sepse 5 minuta më vonë, ish-lojtari i Kombëtares shqiptare ka kaluar sërish në avantazh Koblencin.

Kjo rrjetë, që u ka dhuruar të besuarve të Rapolder tri pikë mjaft të rëndësishme në luftën për mbijetesë, është e treta sezonale për Vatën.

Ai është rikthyer te goli pas plot 10 javëve: për herë të fundit kishte shënuar në fitoren 2-0 në fushën e Augsburgut, më 1 mars. Futbollisti i lindur në Rrëshen ka qëndruar për shumë kohë jashtë fushave të lojës, për shkak dëmtimi, por rikuperimi i tij për javët e fundit të kampionatit ka qenë mjaft i rëndësishëm për skuadrën.

Vetëm pak kohë më parë, Vata deklaroi se dëshiron të luajë të paktën edhe një vit si profesionist dhe pret që drejtuesit e Koblencit t’i ofrojnë rinovimin e kontratës.

Top Channel