Kueiroz konfirmon Pepen kundër Shqipërisë

08/05/2009 09:05

Trajneri i Portugalisë, Karlos Kueiroz, ka bërë të ditur se do të grumbullojë në skuadër mbrojtësin Pepe për ndeshjen e ardhshme eliminatore në Botërorin 2010, e cila do të luhet në Tiranë më 6 qershor.

Drejtuesi i përfaqësueses luzitane pohoi se nuk ndikohet nga pezullimi me dhjetë ndeshje që lojtari i Realit të Madridit ka në kampionatin spanjoll, pasi goditi disa herë me shkelma Havier Kaskueron, në sfidën e muajit të kaluar, ku “merengues” fitoi 3-2 me Getafen në “Bernabeu”.

Më tej, 26-vjeçari i lindur në Brazil, goditi me grusht Huan Angel Albin dhe në momentin kur doli nga fusha ofendoi gjyqtarin e katërt. “Mund t’ju them se do ta thërras Pepen për takimin e radhës. Nëse do të jetë në formë të mirë, ai do të jetë në skuadër”, tha Kueiroz.

“E pranuam ndëshkimin e Federatës Spanjolle, që u dha pasi mbrojtësi kërkoi falje publike”. Shqipëria shihet si stacioni i fundit i portugezëve, të cilët duhet të marrin 3 pikët në “Qemal Stafa”, për të shpresuar se do të kualifikohen në evenimentin në Afrikën e Jugut.

Top Channel