Tirana-Vllaznia, sfida e pafundme vazhdon në Kupë

27/04/2009 08:55

Vllaznia e Tirana, sfida e pafundme mes dy rivaleve më të ashpra të këtij sezoni vazhdon këtë javë në Kupën e Shqipërisë.

Të dy skuadrat do të luajnë të mërkurën aktin e dytë të gjysmëfinaleve të edicionit të 57-të të Kupës. Një ndeshje e konsideruar si një finale e parakohshme, nisur edhe nga fakti se përballen dy skuadrat më të mira të sezonit, të cilat udhëheqin edhe kampionatin (58 pikë kryeqytetasit dhe 57 shkodranët).

Ashtu si Tirana dhe Vllaznia ka shanset që t’i fitojë të dyja trofetë e sezonit, çka do të ishte edhe dhurata më e bukur në 90-vjetorin e klubit më të vjetër në Shqipëri.

Vllaznia e Tirana u ndanë në barazim pa gola në ndeshjen e parë gjysmëfinale, i treti rresht duke përfshirë edhe dy përballjet sezonale në kampionat (0-0 në “Loro Boriçi” e 1-1 në “Selman Stërmasi”).

Kjo dëshmon se janë dy rivale të mëdha e të denja si për titullin kampion ashtu dhe për trofeun e Kupës. Takimi i kthimit në kryeqytet, në pamje të parë favorizon Vllazninë, së cilës i mjafton çdo lloj barazimi me gola për t’u kualifikuar (plus çdo lloj fitoreje), ndërkohë që Tirana si alternativë të vetme për të shkuar në finale ka fitoren, por ka në favor faktorin fushë, edhe pse shkodranët janë një ekip që nuk impresionohen shumë në këtë drejtim.

Shkodranët kanë kërkuar një gjyqtar të huaj për ndeshjen e kthimit, emri i të cilit pritet të mësohet sot.

Top Channel