Shkumbini, “jo” gjyqtarit të huaj në gjysmëfinale

27/04/2009 09:15

Shkumbini-Flamurtari do të jetë gjysmëfinalja e dytë jo më pak interesante e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e parë në shtëpi, vlonjatët kanë hedhur një gjysmë hapi në drejtim të gjysmëfinales, pasi i kanë mundur miqtë me rezultatin 1-0, por për ta kompletuar këtë do të duhen 90 minutat e së mërkurës në Peqin, të cilat mendohet se do të jenë shumë të vështira.

Pas ndeshjes së djeshme të humbur 3-0 ndaj Dinamos në kryeqytet, trajneri Magani ka shprehur hapur qëndrimin e klubit të tij, i cili nuk do të pranojë gjyqtar të huaj në Kupën e Shqipërisë, pas kërkesës së Flamurtarit.

“Çuditemi nga kërkesa e Flamurtarit për gjyqtarë të huaj në Peqin. Në ndeshjen e parë ne jemi arbitruar nga Jareci në Vlorë dhe kemi humbur. S’ka arsye pse të jetë një gjyqtar i huaj në ndeshjen tonë dhe ne si klub jemi kundër kësaj kërkese. Në këtë mes edhe FSHF duhet të vendosë drejtësi, duke mos lejuar kërkesa të tilla pa lidhje”, nënvizoi trajneri i skuadrës së Shkumbinit.

Top Channel