Ervin Skela “vret” Volfsburgun

27/04/2009 09:05

Ervin Skela shndërrohet në protagonist i Bundesligës, pasi me golin e djeshëm, ai ka firmosur dështimin e Volfsburgut, duke mos i dhënë shans të arratiset në krye, gjë që e ka ndezur akoma edhe më shumë kampionatin gjerman të futbollit.

 Por ky gol ka një peshë akoma edhe më të madhe për skuadrën e tij Energie Kotbuz, e cila tashmë shikon më shumë shpresa për të shpëtuar nga rënia në Bundesliga 2.

Kotbuz ka mundur dje në shtëpi Volsfburgun me rezultatin 2-0. Shqiptari ka qenë protagonist i kësaj ndesheje, duke qenë një rrezik permanent i portës kundërshtare. Në minutat 18 dhe 34 ka qenë ndërhyja e saktë e portierit Bengalio, ajo që i ka mohuar golin fantazistit kuqezi. Po ashtu në minutën e 72, Skela ka qenë protagonist i një aksioni të bukur të Kotbuz, i cili do të konkretizohej në gol nga Rangleov.

Në minutën e 86, pas një asisti të marrë nga Sorensen, Skela ka bërë gjithçka mirë, ka shmangur ndërhyrjet e mbrojtësve dhe më pas ka lëshuar një gjuajtje të kalibruar, pikërisht atje ku nuk mundej të arrinte më portieri Bengalio, duke firmosur kështu golin e fitores 2-0. I gjithë stadiumi ka kaluar në delir dhe ka duartrokitur gjatë shqiptarin, i cili do të zëvendësohej vetëm një minutë më vonë.

I falënderuar edhe nga i gjithë stoli i skuadrës së tij, ai ka përshëndetur tifozerinë që vazhdonte të duartrokiste. Me këtë fitore, Energi kapërcen dy vende, duke lënë pas përkohësisht zonën e ftohtë të rënies nga kategoria. Tashmë ata pozicionohen në vendin e 15 me 26 pikë dhe kanë lënë pas Armina Bielefeld (25), Borusia Mynshengladbah (24) dhe Karlsruhen e Kapllanit me 22.

Ky është goli i dytë i Skelës në këtë sezon. Goli i parë daton në javën e 14-të kundër Bajernit të Mynihut. Shqiptari ka kontribuar gjithashtu edhe me 5 asiste për shokët e skuadrës. Kjo paraqitje e mirë i shton shpresat e rinovimit të kontratës së tij me Energie edhe për një vit, gjithmonë nëse do të qëndrojnë në Bundesliga 1.

Top Channel