KE ne FSHF miraton rrogat mujore për Ari Han

18/04/2009 09:55

Pas “divorcit” nga Ari Han, Komiteti Ekzekutiv në FSHF ka miratuar formalisht edhe rrogat që trajneri holandez do të përfitojë si pjesë e akordit për largimin nga Shqipëria.

Holandezi do të paguhet normalisht në dy muajt e ardhshëm edhe pse nuk do të punojë me Kombëtaren kuqezi.Shifra e faturës llogaritet në afro 24 mijë euro.

“Në mbledhjen e KE-së u miratua dhënia e rrogave për trajnerin Ari Han”, deklaroi zv/presidenti i FSHF-së, Kasmi.

“Pagesa do të bëhet mujore,ashtu siç ka ndodhur deri në periudhën kur ai punonte në krye të Kombëtares”. Holandezit do t’i dërgohet çeku në shtëpinë e tij në Shtutgart, pa ndryshuar asnjë presje nga marrëveshja, pavarësisht deklaratave ofenduese për mediat e vendeve të ulëta.

Në tentativë për të justifikuar dështimin me përfaqësuesen tonë, Han deklaroi se në “Shqipëri nuk kishte kushte, federata nuk kishte asnjë objektiv, madje mungonin edhe ushqimi dhe pijet”.

Gjithsesi, askush nga drejtuesit e federatës nuk i ka komentuar këto fjalë. Ka munguar edhe reagimi zyrtar për të hedhur poshtë fjalët aspak dashamirëse të ish-trajnerit.

Top Channel