Cana i shpall luftë Lionit

13/04/2009 08:55

Kapiteni i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, bën të njohura ambiciet e tij dhe skuadrës për këtë pjesë të mbetur të sezonit, duke i hedhur në një farë mënyrë dorashkën e sfidës kampionëve rekordmenë të Lionit.

Mesfushori shqiptar ka rrëfyer gjithçka në një intervistë të dhënë dhe për numrin e djeshëm të prestigjiozes sportive franceze “L’Equipe”.

I pyetur se ku e sheh Olimpikun e Marsejës në fund të këtij sezoni, Cana theksoi se titulli është objektivi i skuadrës së tij. “Vendi i dytë nuk është keq, por nuk mund të them se e kam realizuar misionin tim: në mbrëmje do të duhet të takohem me miqtë dhe t’ju them lamtumirë. Por kur vesh bluzën e skuadrës për të zbritur në fushë, e bëj këtë me një qëllim të vetëm, që të renditem me Marsejën në vendin e parë. Edhe pse Lioni mbetet favorit, dëshiroj ta bëj të qartë se e dua këtë titull. Sinqerisht e them se mund të ndodhë gjithçka. Duhet të tregojmë pjekuri, pasi ende nuk kemi asgjë të sigurt”, nënvizon Cana.

Futbollisti shqiptar ka prekur edhe temën e impenjimit të Olimpikut të Marsejës në Kupën UEFA, ku në ndeshjen e parë të turin çerekfinal u mund 2-0 nga ukrainasit e Shaktjor Donjetsk.

“Kundërshtari është i vështirë dhe rezultati i ndeshjes së parë e ka komplikuar disi situatën. Megjithatë ne duhet të japim maksimumin në ndeshjen e kthimit për të përmbysur atë rezultat. Kam besim se Marseja i ka mundësitë për ta bërë një gjë të tillë”.

Po dje, është bërë i njohur në shtypin francez edhe një fakt interesat. Ben Afra është shoku i skuadrës, i cili “ia ngre më shumë nervat Lorik Canës, por po ashtu edhe futbollisti të cilin kapiteni shqiptar e toleron më shumë se të tjerët, për faktin se ka aftësi të jashtëzakonshme për të transformuar ndeshjen në favor të Marsejës”. Këtë detaj e ka treguar vetë Cana në një deklaratë për “Foot1.fr”
 

Top Channel