Bogdani jashtë loje, imiton Pipo Inzagin

13/04/2009 08:40

Erjon Bogdani imiton Pipo Inzagin. Ky është përkufizimi që i është bërë sulmuesit shqiptar nga mediat sportive italiane në rastin e anulimit të golit, për pozicion jashtë loje gjatë ndeshjes Kievo-Milan 0-1.

Në minutën e 21 të pjesës së dytë, pas një goditjeje dënimi në hyrje të zonës të ekzekutuar nga Pelisier, Bogdani devijon topin në rrjetën prapa shpinës së Didës. Por në momentin e devijimit, Bogdani ishte në një pozicion milimetrik jashtë loje.

Anulimi i golit është konsideruar i drejtë edhe nga specialistët italianë të Moviolës. Për shtypin e përtej Adriatikut, “Bogdani, në këtë rast, imitoi SuperPipon, duke luajtur në kufijtë e pozicionit jashtë loje”.

Megjithatë, rikthimi i Bogdanit si titullar në skuadrën e Kievos rastis me një ecuri të mirë të Kievos, e cila, edhe pse humbi ndaj Milanit, i meritoi duartrokitjet e të gjithë stadiumit “Bentegodi”. Tashmë në kuotën e 31 pikëve, veronezët e shikojnë veten jashtë zonës së ftohtë, katër pikë larg Torinos’, pesë larg Bolonjës, shtatë larg Leçes.

Por ajo që kënaq më shumë ka të bëjë me faktin se kjo Kievo është mirë moralisht, fizikisht dhe ka shpirt gare. Ajo është e aftë të luajë si e barabartë me skuadra si Juventusi e Milani, të cilat e kanë mundur me shumë vështirësi.

Top Channel