Skela: Mirënjohës ndaj Kotbusit

11/04/2009 09:25

Sezoni në elitën e futbollit gjerman ka hyrë në fazën më të “nxehtë”.

Megjithatë, kur mungojnë tetë ndeshje nga mbyllja e kampionatit, Ervin Skela është optimist se Energie Kotbus do të mbijetojë, duke përsëritur mrekullinë e vitit të kaluar. Përpara sfidës së sotme me Arminian, për “bundesliga.de” ai thekson impenjimin në objektivat e skuadrës, e cila besoi në momentet më të vështira të karrierës së fantazistit kuqezi.

Pas një fillimi të mirë të vitit 2009, Energie humbi pesë ndeshje radhazi. Sipas jush, cilat janë shkaqet e kësaj ecurie të dobët?

Arsyet i kemi diskutuar disa herë brenda skuadrës. Mendoj se disa prej këtyre humbjeve mund të ishin evituar, por nuk është e drejtë të fajësojmë emra të përveçëm. Gabime janë bërë si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë difensive.

Humbët edhe në fushën e Ajntrahtit, por skuadra luajti dobët. Mos ndoshta nuk keni shumë besim në forcën dhe kualitetin tuaj?

Padyshim që kur futesh në fushë pas katër humbjeve, siguria në lojë nuk është në nivele të larta. Gjithsesi, e kemi të qartë se mund të mbijetojmë dhe të vazhdojmë aventurën në Bundesligë. Në fillim të këtij viti morëm rezultate të jashtëzakonshme dhe kërkojmë të përsërisim të njëjtat paraqitje. Për t’i arritur këto duhet të luftojmë në çdo ndeshje, të jemi mirë fizikisht dhe të gjejmë një balancim mes disiplinës taktike dhe lojës sulmuese.

Tani prisni në shtëpi Arminian. E shihni si shansin e fundit?

Nuk është një finale. Na mbeten edhe shtatë ndeshje të tjera përveç kësaj me Arminian. Megjithatë, nuk ka diskutim që kjo është një përballje shumë e rëndësishme.

Përballë këtij kundërshtari keni fituar tri herë në po kaq ndeshje në shtëpi. Do të jeni përsëri dominues?

Statistikat, rezultatet në përballjet direkte dhe fitoret e vitit të kaluar nuk vlejnë. Ndeshja fillon nga zero. Duhet të jemi agresivë dhe të mos e humbasim durimin për të shënuar.

Në javët në vazhdim do të ndesheni me ekipe si Bajerni, Volfsburgu apo Shtutgarti. Megjithatë, jeni të vetmit nga ata që rrezikoni që keni pesë ndeshje në shtëpi…

Në këtë pjesë të sezonit presioni është shumë i madh. Edhe pse do të luajmë me ekipe të mëdha, që pretendojnë titullin, ne do të kërkojmë tri pikët. Gjithçka është e mundur. Sa i takon kalendarit, mendoj se pesë ndeshje në shtëpi na japin një avantazh.

Vetëm pak javë më parë rinovuat kontratën deri në vitin 2011. Mesa duket ndiheni mirë te Kotbus?

Natyrisht. Klubi më ka mbështetur dhe dëshiroj t’ia shpërblej. Kur erdha në fillim isha i sëmurë, por ata besuan tek unë. Këtë nuk kam për ta harruar kurrë.

Keni shprehur se dëshironi ta mbyllni karrierën te Kotbus. A mendoni se do të jeni në Bundesligë edhe në sezonin tjetër?

Nuk dëshiroja të firmosja kontratë në çdo sezon dhe natyrisht që do më pëlqente ta mbyllja karrierën këtu. Besoj se e kemi kualitetin që të luftojmë për të qëndruar në elitë.

Top Channel