Qerimaj, medaljet në “Loro Boriçi”

11/04/2009 09:40

Erkand Qerimaj do të jetë i ftuari special i ndeshjes Vllaznia-Partizani.

Drejtuesit e klubit kuqeblu kanë menduar të shfrytëzojnë pushimin ndërmjet pjesëve të ndeshjes së vlefshme për javën e 27-të të Kategorisë Superiore, për të vlerësuar përpara të pranishmëve në “Loro Boriçi” shtangistin më të mirë shqiptar.

Një ndërthurje e futbollit me peshëngritjen, kur gjatë 15 minutave, tifozët do të brohorasin edhe për idhullin e tyre 21-vjeçar, që së fundmi u shpall nënkampion i Evropës në peshën 77 kg.

Në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, Qerimaj u klasifikua i pari në stilin e shtytjes, duke ngritur 190 kg, ndërsa në dygarësh ai mori medaljen e argjendtë. Në total shkodrani ngriti 342 kg, vetëm 2 kg më pak se bjellorusi Mikolai Çarniak, i cili u shpall kampion i Evropës.

Top Channel