Pesha trupore i heq Tabakut bronzin

10/04/2009 10:05

Pas 4 medaljeve të fituara nga Romela Begaj (ar dhe bronz) dhe Erkand Qerimaj (ar dhe argjend), përfaqësuesja shqiptare e peshëngritjes ishte fare pranë një tjetër medaljeje në Evropianin 2009 për të rritur.

Edhe pse konkurroi në baterinë “B” të peshës 85 kg, Ervis Tabaku pothuajse e preku medaljen e bronzit në stilin e shkëputjes.

Me 166 kg të ngritura, ai u paraqit më mirë se shumë konkurrentë në baterinë “A”, por medalja i ka rrëshqitur nga duart vetëm për 90 gramë më shumë në peshën trupore. Vendi i tretë në këtë stil i shkoi Mikalai Novikau, që u rendit pas azerbajxhanasit Zairov (medalje ari me 168 kg të ngritura) dhe polakut Zielinski (argjend me 167 kg).

Më e dobët paraqitja e Tabakut në shtytje, ku me 190 kg u rendit i 7-ti, pozicioni final edhe në dyjarësh. Sinjale të mira nga gara në Bukuresht erdhën nga Endri Haxhihyseni. Edhe pse nuk garonte prej afro dy vjetësh, 23-vjeçari ngriti 160 kg në shkëputje, duke u renditur i treti në baterinë “B” në këtë stil dhe 185 kg në shtytje.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta