FIFA shtyn ndëshkimin për Shqipërinë

10/04/2009 09:45

FIFA shtyn edhe për dy javë ndëshkimin thuajse të sigurt të Shqipërisë.

Në këtë përfundim është arritur dje, pasi Komisioni i Disiplinës së FIFA-s ka bërë të ditur se ende nuk e ka marrë vendimin rreth incidenteve të ndeshjes eliminatore Shqipëri-Hungari, të luajtur më 28 mars në stadiumin “Qemal Stafa”.

Në sfidën e fundit të muajit mars, pikërisht në pushimin mes dy pjesëve, tifozët shqiptarë dhe rreth 600 tifozë hungarezë të pranishëm në tribunën D1 krijuan incidente mes tyre, që u pasuan nga hedhjet e shisheve dhe sendeve të tjera në fushë.

Këto episode mes dy tifozerive u mbajtën shënim në një raport nga gjyqtari i ndeshjes, holandezi Bjorn Kuipers, dhe delegati i ndeshjes, italiani Maurizio Laudi.

“Qeveria” e futbollit botëror i ka dhënë 15 ditë kohë Federatës Shqiptare të Futbollit, për të paraqitur relacionin e saj, ku do të synohet mbrojtja nga masat ndëshkimore. Për këtë arsye rrezikojmë gjobë të majme financiare, zhvillimin e një ndeshjeje (të radhës në shtëpi më 6 qershor me Portugalinë) me dyer të mbyllura, madje edhe masën më të rëndë, pra pezullimin e fushës dhe zhvillimin e ndeshjeve në fushë asnjanëse.

Për herë të fundit, përfaqësuesja ka luajtur pa tifozë në tribuna në vitin 2005, kur në eliminatoret e Botërorit 2006 fituan 3-2 me Gjeorgjinë.

“Qemal Stafa” rrezikoi të kyçej edhe në 17 nëntor 2007, për sfidën me Bjellorusinë, prej ndezjes së fishekzjarrëve dhe hedhjes së sendeve në fushë, në fund të ndeshjes Shqipëri-Holandë. Gjithsesi, FSHF-ja e fitoi çështjen në Apel dhe u ndëshkua “vetëm” me 40 mijë euro gjobë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta