
Elvir Muriqi do të rikthehet në ring pas disfatës së muajit shkurt, në duelin eliminator për titullin botëror IBF, me anglezin Klinton Vuds.
Më 18 prill, 29-vjeçari do të ndeshet në “Kosova Fight Night”, një aktivitet bamirësie, i organizuar për të grumbulluar fonde për fëmijët në nevojë të “Fshatit SOS”. Kundërshtari i tij do të jetë ukrainasi Oleksandr Garashçenko, me të cilin ka humbur në përballjen e vitit 2005 në “Medison Skuer Garden” të Nju Jorkut.
Edhe pse dyluftimi është për bamirësi, “Kosova Kid” kërkon hakmarrjen për padrejtësinë që i është bërë 4 vjet më parë. “E njoh mirë Garashçenkon dhe besoj se ai e ka të qartë që diferenca në peshë është e konsiderueshme dhe nuk konkurrojmë në të njëjtën ligë. Jam i lumtur që më erdhi rasti të hakmerrem për padrejtësinë që më është bërë më 30 prill 2005. Ai është një kundërshtar i fortë dhe mjaft rezistent, gjithsesi do të jetë një duel i bukur për t’u ndjekur”.
Më tej, Muriqi ka folur për iniciativën e grumbullimit të të ardhurave për fëmijët jetimë të Kosovës. “Të gjitha të ardhurat nga biletat do të kalojnë në llogari të ‘Fshatit SOS’, që kujdeset për fëmijët pa familje. Jam shumë i lumtur që mund të jap një kontribut të vogël për të ndryshuar jetën e dikujt”. Aktiviteti do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Përveç Muriqit, që në 40 duele si profesionist numëron 35 fitore (22 prej të cilave me “K.O.”) dhe 5 humbje, në ring do të ngjiten edhe shumë boksierë të talentuar dhe spektakli është i garantuar. Shpëtim Shala (5 fitore në po kaq ndeshje) dhe Josip Jalusiç do të ndeshen në dhjetë raunde për titullin kampion të Austrisë në peshat e mesme.
Kosovari me pasaportë zvicerane, Sefer Seferi, do të përballet në gjashtë raunde me kroatin Ivica Kukusiç, ndërsa dueli tjetër do të jetë ai me katër raunde ndërmjet Erjon Zekas dhe Zoran Cvek.
Top Channel