KOKSH pezullon një vit Klodiana Shalën

09/04/2009 09:25

Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka pezulluar për një vit nga të gjitha aktivitetet atleten Klodiana Shala.

Drejtuesit e këtij institucioni ishin mbledhur për të shqyrtuar pamjet filmike të Asamblesë jolegjitime zgjedhore, të zhvilluar më 20 mars të këtij viti.

Rekordmenia e 100 dhe 400 metrave ishte njëra prej 11 sportistëve olimpikë (nga 15 të tillë), që u paraqitën në punimet e kësaj Asambleje. Madje, Shala, e cila deri më tani ka qenë edhe anëtare e KE-së së KOKSH-it, ndodhej në panelin drejtues, veprim që është cilësuar shkelje e rregullores, pasi ajo është bërë palë e një procesi të quajtur të jashtëligjshëm nga ndërkombëtarët.

Por, nëse largimi i saj nga Ekzekutivi mund të cilësohet një vendim i mbështetur në rregullore, dyshime të forta ekzistojnë rreth përjashtimit nga garat. Ende nuk dihet nëse lënia e 30-vjeçares jashtë pistës është e justifikuar, apo kjo është një hakmarrje, sepse guxoi të mbështeste kundërshtarët e drejtuesve aktualë. Paqartësia vjen për shkak se sekretariati i KOKSH-it nuk e zbardhi vendimin.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Jashtëzakonshme, e cila nuk u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), fitues u shpall Esat Ademi me 41 vota, nga 50 anëtarë pjesëmarrës. Gjashtë vota u fituan nga presidenti i Federatës së Shahut, Rezart Taçi, i cili u propozua si kandidat për presidencën vetëm gjatë punimeve të Asamblesë, ndërsa 4 vota rezultuan të pavlefshme.

Top Channel