Han shkëput lidhjet me FSHF

08/04/2009 09:00

Nën një çati, por gjithmonë e më larg njëri-tjetrit.Kombëtarja shqiptare dhe Ari Han duket se kanë marrë rrugën
pa kthim, “divorcin”.

Pak rëndësi ka nëse do të gjendet marrëveshje për ndarje konsensuale, apo nëse Federata Shqiptare e Futbollit do të prishë kontratën duke marrë përsipër kostot financiare.

Fakt është se që prej humbjes së 1 prillit me Danimarkën, trajneri nuk ka dhënë asnjë shenjë jete. Asnjë
kontakt me “qeverinë” e futbollit në vendin tonë. Biseda e munguar me presidentin Armand Duka, i cili u largua nga Kopenhageni pa takuar asnjë pjesëtar të skuadrës, apo stafit teknik, tregon shenja të qarta ftohjeje.
 
Ndryshe nga herët e tjera, interesimi i Han për paraqitjen e lojtarëve kuqezi që militojnë në klubet evropiane ka qenë në nivelet zero. 60-vjeçari as që nuk do t’ia dijë për situatën që vendimet e tij taktike kanë
shkaktuar në Shqipëri.

Ai duket i palëkundur në qëndrimin e tij, për të mbyllur aventurën me Shqipërinë në eliminatoret e
Botërorit 2010. Pak ditë më parë, Han konfirmoi se nuk tërhiqet. Vetëm pak orë pas shkatërrimit 3-0 në Danimarkë, ai tha: “Unë nuk jam në dijeni për zërat se nuk do të jem më trajner i përfaqësueses shqiptare. Për sa më takon, do të vazhdoj ta drejtoj skuadrën deri në fund të këtyre eliminatoreve, kur përfundon edhe kontrata ime me federatën. Pas humbjeve me Hungarinë dhe Danimarkën duhet të përballemi me faktet. Të guxosh të ëndërrosh nuk është diçka e keqe, por duhet të jemi realistë. Ishim përpara një detyre të vështirë, pasi shorti na vendosi në grupin më të fortë eliminator të Botërorit 2010 në zonën evropiane. Fituam disa pikë në ndeshjet e para dhe ndoshta aty lindën shpresat se mund të bënim diçka më shumë”.

Por, mungesa e kontakteve tregon edhe se “tulipani” nuk ka ndërmend ta bëjë hapin e parë. “Topi” mbetet në fushën e FSHF-së.Nëse institucioni që drejton sportin më popullor në vend kërkon ta largojë, rruga e vetme
që Han ka lënë të hapur është shkarkimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA