Kombëtarja kuqezi, miqësore me Skocinë

07/04/2009 10:00

Kombëtarja shqiptare ka siguruar kundërshtarin e ardhshëm për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Ajo është Skocia e drejtuar nga trajneri Xhorxh Bërli.

Federata Shqiptare e Futbollit ka gjetur marrëveshjen me homologët e tyre skocezë. Ndeshja do të luhet në fillim të muajit tetor, ndoshta në datën 10, kur kuqezinjtë nuk janë të impenjuar në eliminatoret e Botërorit 2010.

Atë ditë në fushë zbresin vetëm dy çifte nga Grupi 1, ku Portugalia pret në fushën e saj Hungarinë, ndërsa Danimarka ndeshet me Suedinë.

“Marrëveshja me Federatën Skoceze është arritur dhe në fillim të tetorit dy përfaqësueset do të zhvillojnë një ndeshje miqësore”, pohuan burime pranë FSHF-së. Kjo miqësore vjen përpara ndeshjes së fundit të Shqipërisë në eliminatoret drejt aktivitetit që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut.

Në fakt, Kombëtarja e mbyll edicionin (që deri më tani duket i dështuar) në datën 14 tetor, me sfidën në fushën e Suedisë së Zlatan Ibrahimoviç. Gjithsesi, dy federatat ende nuk e kanë përcaktuar vendin ku do të zhvillohet ndeshja. Sipas të gjitha gjasave, ajo mund të luhet në Skoci, duke qenë se kuqezinjve u nevojitet një ndeshje testuese jashtë fushës, përpara përballjes me suedezët e drejtuar nga Lars Lagerbak.

Kjo do të jetë përballja e parë e Shqipërisë me vendin e Mbretërisë së Bashkuar në arenën ndërkombëtare në nivel përfaqësuesesh “A”. Në anën tjetër, më 28 mars dhe 1 prill, Shqipëria dhe Skocia janë përballur me Kombëtaret U-21, ndeshje që kanë sjellë dy fitore të ishullorëve.

Skocia është një prej ekipeve më të vjetra në botë, përkrah Anglisë, kundër të cilëve kanë luajtur ndeshjen e parë ndërkombëtare të futbollit, në mars të vitit 1872. Kombëtarja e këtij vendi luan në të gjitha aktivitetet madhore, përveç Olimpiadës (nuk janë anëtarë të IOC-së).

Ata janë kualifikuar disa herë në fazën finale të Kupës së Botës dhe në Kampionatin Evropian, por asnjëherë nuk e kanë kaluar fazën e grupeve. Skocezët pozicionohen në vendin e 28-të të renditjes së FIFA-s (kundrejt vendit të 80-të të Shqipërisë) dhe kanë në skuadër lojtarë si Darren Fleçër (Mançester Junajted), Alan Haton (Totenhem), portieri Kreig Gordon (Sanderland), Stefën MekManus e Gery Kalduell (Sëlltik) dhe sulmuesit Devid Klarkson (Mathëruell) e Keni Miller (Rejnxhërs). Në ndeshjet e fundit eliminatore, nga ekipi u përjashtuan kapitenin Berri Ferguson dhe portierin Alan MekGregor, sepse kishin kaluar një natë duke pirë gjatë grumbullimit me përfaqësuesen.

Top Channel