Januzi pret ftesën e trajnerit Ari Han

06/04/2009 09:50

Pas debutimit zyrtar me fanellën kuqezi, në eliminatoret e Evropianit U-21 me Skocinë, Ahmed Januzi sheh nga e ardhmja.

Sulmuesi i Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas, ka pohuar se tashmë është në pritje të një ftese nga trajneri i Kombëtares “A”, Ari Han.

Me gjithë humbjet në të dyja takimet me bashkëmoshatarët skocezë, paraqitja e Januzit është vlerësuar pozitivisht nga stafi teknik i ekipit Shpresa. “Përfaqësimi me fanellën kuqezi ishte një ëndërr e cila u bë realitet. Jam i lumtur që debutova me Kombëtaren shqiptare”, tha 20-vjeçari.

“Objektivi im është që një ditë të bëhem pjesë e ekipit të parë të Kombëtares shqiptare. Dëshiroj të luaj sa më shpejt përkrah dy shokëve të mi te Vorskla, Debatik Curri dhe Armend Dallku. Besoj se në një të ardhme të afërt, trajneri holandez Ari Han, do më rezervojë një vend në skuadrën e tij”.

Top Channel