Curri luan keq, humb shansin e karrierës

06/04/2009 09:30

Debatik Curri ka humbur një prej shanseve më të mira për të bërë hapin e madh në karrierën si futbollist profesionist.

Mbrojtësi kuqezi është paraqitur dobët në ndeshjen e së shtunës në Vyscha Liga, ku Vorskla Poltava humbi 3-2 në fushën e saj me Iliçivets Mariupol.

Curri së bashku me mbrojtësin tjetër të Kombëtares shqiptare, Armend Dallku, ishin të vëzhguarit specialë të një përfaqësuesi të Bajernit të Mynihut.

Që prej mesjavës, klubi bavarez kishte dërguar një faks në zyrat e Vorsklas, duke kërkuar rezervimin e një bilete për “skautin” nga Gjermania. Dy lojtarët kishin lënë përshtypje të mira në ndeshjen eliminatore të humbur 1-0 në “Qemal Stafa” me Hungarinë, ku një përfaqësues i Bajernit vëzhgoi në aksion mesfushorin Lorik Cana.

Megjithatë, sipas mediave ukrainase, Curri ka zhvilluar ndeshjen më të dobët në kampionat, pasi ka humbur çdo duel me kundërshtarët.

Top Channel