Cana: Nëse Gerets ikën, rishikoj të ardhmen

06/04/2009 09:35

Lorik Cana “kërcënon” Olimpikun e Marsejës, rreth çështjes së largimit të mundshëm të trajnerit Erik Gerets.

Mesfushori shqiptar deklaroi se do të rishikojë të ardhmen në stadiumin “Velodrom”, nëse drejtuesi i stolit largohet.

Aventura e belgut në krye të skuadrës lidhet me titullin kampion në Ligën 1 franceze, trofe që i mungon klubit prej 16 vjetësh.

Megjithatë, 25-vjeçari, i cili është mjaft i lidhur me Gerets, i del në mbrojtje: “Të punosh me një trajner që ka ide kaq moderne më bën të ndihem krenar. Do të dëshiroja që ai të qëndronte pranë skuadrës. Puna e Gerets ka përmirësuar dukshëm ekipin dhe më ka ndihmuar në personalitet. Natyrisht që i ndjekim me vëmendje zhvillimet rreth së ardhmes së tij”.

Më tej, kapiteni i marsejezëve shtoi: “E ardhmja ime nuk lidhet me atë të trajnerit, por natyrisht që ajo do të ndikojë në vendimin tim”.

Top Channel