Trajneri Han nuk tërhiqet

04/04/2009 09:30

Humbjet në dy ndeshjet eliminatore të Botërorit 2010 me Hungarinë dhe Danimarkën kanë vënë seriozisht në dyshim të ardhmen e trajnerit Ari Han në krye të Kombëtares shqiptare.

Përveç dështimit me rivalët direkt në Grupin 1 të drejtuar nga Ervin Kuman dhe katastrofës në Kopengahen, ku tre golat e pësuar erdhën pas gabimeve foshnjarake, humbjet erdhën si rezultat i lojës dhe taktikave të dobëta të përdorura nga holandezi.

Megjithatë, nga shtëpia e tij në Gjermani, Han as që e ka idenë për situatën e krijuar në vendin tonë. Ai nuk ka informacion as për spekulimet e shkarkimit të mundshëm nga drejtimi i kuqezinjve. “Unë nuk jam në dijeni për këtë gjë”, deklaroi trajneri për të përditshmen kosovare “Express”.

Ish-trajneri i Kinës dhe Kamerunit as që ka ndërmend të tërhiqet dhe synon të “respektojë” deri në fund kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit. Ai konfirmoi se do të vazhdojë ta drejtojë përfaqësuesen shqiptare të paktën deri në fund të eliminatoreve të Kupës së Botës, aktivitet që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Afrikën e Jugut.

“Për sa më takon, do të vazhdoj ta drejtoj Shqipërinë deri në fund të këtyre eliminatoreve”, këmbënguli Ari Han. Që prej emërimit të tij në krye të skuadrës, në janar të vitit 2008, objektivi i përcaktuar për teknikun “tulipan” ishte përfundimi i eliminatoreve në vendin e katërt. Me Maltën që mbetet një ekip modest (pavarësisht barazimit të 11 shkurtit në La Valeta) dhe emra si Portugalia, Danimarka apo Suedia në grup, kundërshtarja më e rëndësishme e kuqezinjve mbetej Hungaria.

Por, dy humbjet me të besuarit e Ervin Kuman duket se do të na lënë përfundimisht në vendin e pestë. “Është mirë nëse guxon të ëndërrosh diçka, por në fund duhet të jemi realistë. Ka qenë një detyrë e vështirë, pasi shorti na vendosi në grupin më të fortë eliminator të kontinentit. Në ndeshjet e para kemi fituar disa pikë dhe aty lindën shpresa të reja, se ndoshta mund të arrinim më shumë.

Por, tani duhet të ballafaqohemi me realitetin”, është shprehur 60-vjeçari. Han preku edhe temën e reformave në Kombëtare, duke thënë se nuk ekziston asnjë ekip në botë që mund të ndryshojë brenda ditës. Sipas ish-trajnerit të Shtutgartit, Fejnordit e Anderlehtit, duhet më shumë kohë për të ndryshuar një skuadër futbolli.

Pas shtatë ndeshjeve të luajtura në eliminatoret e Botërorit 2010, Shqipëria ka grumbulluar vetëm gjashtë pikë dhe renditet e pesta në Grupin 1. Fitorja e vetme e këtij edicioni mbetet ajo 3-0 në “Qemal Stafa” me Maltën, në shtator të vitit 2008, ndërsa me Portugalinë, Suedinë dhe Maltën (jashtë fushe) janë arritur tri barazime. Në takimet e mbetura kundër Portugalisë, Suedisë dhe Danimarkës, përfaqësuesja jonë ka fare pak shanse për të marrë qoftë edhe një pikë.

Top Channel