Tare, në fushë me legjendat e Milanit

04/04/2009 10:55

Igli Tare ka zbritur sërish në fushë për bamirësi. Në stadiumin “Rigamonti” të Breshias, drejtori sportiv i Lacios ka hequr kostumin e zyrtarit për të luajtur në skuadrën e yjeve të së kaluarës të “dallëndysheve” përballë idhujve të Milanit.

Parulla e kësaj ndeshjeje ishte: “Një shkelm Sla”-së, sëmundja e sklerozës që prek neuronet cerebrale dhe ato të shtyllës kurrizore.Kjo patologji njihet rëndom edhe si “sëmundja e futbollistëve”, pasi në pjesën më të madhe të rasteve, viktima të sëmundjes, shkaqet e së cilës janë ende të pazbuluara, janë pikërisht ata që kanë kaluar jetën në fushat e lojës. Ndeshja, një mesazh solidarizimi për Stefano Borgonovo dhe të gjithë ata që luftojnë me Sla-në, riktheu në fushë legjendat e Milanit, duke filluar nga Barezi, Masaro, Ançeloti, Tasoti, Filipo Gali, Leonardo, për të vazhduar me Kostakurtën, Albertinin, Sebastiano Rosin, Zvonimir Boban e Marcel Desai. Te Breshia, përkrah Tares luajtën Alesandro Altobeli, Stefan Apiah, George Haxhi e Dario Hubner, ndërsa Roberto Baxhio do të qëndrojë në tribunë.

Top Channel