Kombëtarja, shpërthejnë pakënaqësitë

04/04/2009 10:20

Edhe pse kanë ekzistuar edhe më parë në gjirin e Kombëtares, humbja ndaj Danimarkës dhe gafat e trajnerit Ari Han kanë bërë që pakënaqësitë të shpërthejnë vetëm tani.

 Lojtarët, që nën zë e ngrenë gishtin e akuzës në drejtim të teknikut holandez, janë të shumtë, por deri tani Altin Lala është i vetmi që ka dalë publikisht kundër lëvizjeve të Hanit. Vetë kapiteni i Shqipërisë e ka ndjekur ndeshjen nga shkallët e stadiumit, pasi vuan një dëmtim të lehtë.

Nga ai pozicion ka mundur t’i analizojë më mirë, si lëvizjet e trajnerit, ashtu edhe të skuadrës. Për këtë të fundit mendon se duhej të kishte bërë më shumë ndaj danezëve. Megjithatë, lojtarët nuk i konsideron fajtorët e mëdhenj, pasi, sipas tij, është dikush tjetër që vendos se çfarë loje duhet të luajë ekipi. “Nuk ua vë fajin futbollistëve, ata dhanë maksimumin.

Por trajneri është ai që bën formacionin”, u shpreh dje Lala në një prononcim të tijin për një televizion shqiptar. Kapiteni nuk ngurron të deklarohet kundër strategjive të përdorura nga holandezi në këtë ndeshje, ku skuadra ishte udhëzuar të bënte lojë mbrojtëse gjatë gjithë 90 minutave, edhe pse gjendej në disavantazh. “Nuk duhej të luanim 90 minuta në mbrojtje.

Jam dakord që duhej të mbroheshim mirë, pasi nuk mundeshim ta vinim në presion Danimarkën, por edhe duhej të kishim sulmuar. Ne nuk krijuam asnjë rast”, thekson shtatshkurtri i mesfushës shqiptare dhe Hanoverit. Kur i kërkohet të japë një përkufizim në lidhje me një krahasim mes trajnerëve të huaj që kanë drejtuar Shqipërinë 10-vjeçarin e fundit, kapiteni është i qartë në vlerësimin e tij dhe lë të nënkuptohet se Han meriton vendin e fundit, ndërsa si më të mirin, shikon atë që ka rezultuar më i suksesshmi.

“Nuk dua të bëj paralele, por ai që ka sukses është më i miri. Suksesi është i pamohueshëm”, përfundon Lala. Qëndrimi i hapur i Lalës mund të inspirojë edhe lojtarët e tjerë, ndërsa pozitat e trajnerit po lëkunden gjithnjë e më shumë.

Top Channel