Fatmir Vata: Ka ardhur koha për ndryshime!

04/04/2009 09:45

Dy humbjet e Shqipërisë, përballë Hungarisë dhe Danimarkës, në eliminatoret e Botërorit 2010 e kanë dëshpëruar Fatmir Vatën.

37-vjeçari, që u tërhoq nga arena ndërkombëtare në vitin 2005, pasi u la jashtë skuadrës kuqezi nga trajneri gjerman Hans Peter Brigel, deklaroi për të përditshmen kosovare “Express”: “Jam shumë i dëshpëruar me dy paraqitjet e fundit të Kombëtares.

Në këto dy ndeshje, Shqipëria ka luajtur mirë vetëm në 20 minutat e para ndaj Hungarisë, ndërsa në 160 minuta të tjera është paraqitur mjaft dobët.

Me Hungarinë duhej të kishin fituar të paktën një pikë. Sa për Danimarkën, mund të them se është normale të humbësh në fushën e kësaj skuadre, por nuk pajtohem me rezultatin 3-0, pas një loje shumë të dobët”. Ai nuk e kurseu krahasimin me skuadrën e përpara pesë viteve, por këmbëngul se gjatë kohës kur ai vishte fanellën kuqezi, Shqipëria paraqitej më mirë.

“Edhe ne humbitnim ndeshje, por luanim mjaft mirë. Ndërsa tani, përveç humbjeve, skuadra po luan keq”, tha Vata. Sulmuesi i Koblencit në Bundesligën II gjermane, mendon se 50 për qind të fajit për paraqitjet e dobëta në Grupin 1 eliminator i ka trajneri Ari Han, ndërsa gjysmën tjetër futbollistët, sepse, si saktëson Vata, “nuk e kanë dhënë maksimumin e tyre në këto dy ndeshje”.

“Ari Han nuk do të mund të japë më shumë se kaq për Shqipërinë. Ai duhet të japë dorëheqjen. Nëse nuk e bën vetë ai një gjë të tillë, atëherë duhet të reagojnë vetë shqiptarët për ta shkarkuar.

Po ashtu, edhe disa lojtarë duhet të largohen me dëshirë nga ekipi, pasi disa prej tyre e kanë kuptuar se nuk mund të japin maksimumin në Kombëtare. Një gjë të tillë e kam bërë edhe unë”, përfundoi “veterani”, që beson se “përjashtimet” e Erjon Bogdanit dhe Edmond Kapllanit ishin një vendim i gabuar.

Top Channel