Apolonia: Nuk ka gola, nuk ka as rroga!

04/04/2009 11:05

Lojtarët e Apolonisë nuk paguhen prej dy muajsh. Justifikimi i dhënë nga ana e drejtuesve të klubit ka qenë mungesa e shënimit të golave.

Mësohet se i gjithë ekipi, përfshi këtu edhe teknikët, janë ndëshkuar nga klubi pas rezultateve të dobëta që kanë pasur në ndeshjet e javëve të fundit.

Futbollistët bëjnë të ditur se, ata nuk e kanë marrë rrogën që nga muaji shkurt. Insistimi i tyre i vazhdueshëm ka marrë gjithnjë një përgjigje: “Nëse nuk shënoni, nuk do të merrini as paratë”. Madje, kërcënimi ndaj lojtarëve ka shkuar deri në atë pikë sa u është komunikuar një ditë më parë, se nëse nuk shënojnë gol edhe në ndeshjen e radhës ndaj Bylisit, pagat e tyre nuk do të jepen. Ky justifikim ka indinjuar futbollistët e Apolonisë, të cilët janë shprehur se ndihen të pamotivuar nëse nuk paguhen.

“Në kontratat nuk kemi firmosur për një kusht të tillë, që nëse nuk bëjmë gola nuk do të marrim rrogën. Dyshoj se nuk është goli shkak, por drejtuesit e klubit duan të fshehin ndonjë fakt tjetër”, është shprehur një prej tyre në seancën e fundit stërvitore.

Mosmarrja e pagës për dy muaj ka vënë në vështirësi lojtarët e huaj, kryesisht tre serbët. Ata kanë kontaktuar paraditen e së premtes për të kërkuar me ngulm shlyerjen e detyrimeve financiare. Situata bëhet akoma më e vështirë kur dëgjon pohimin e lojtarëve të huaj, se “nuk kanë të holla as për të ngrënë dhe jo më të mendosh për banesat me qira, si dhe për nevoja të tjera”.

Madje, serbët pohojnë se për këtë çështje janë ankuar edhe në Federatën Serbe të Futbollit, të cilën e kanë informuar për shkeljet, sipas tyre, të pikave të kontratës dhe situatën e vështirë financiare. Sikurse pretendojnë futbollistët e huaj, federata serbe, me anën e një faksi, u ka sugjeruar atyre mundësi transferimi në kampionate të tjera si, austriak, slloven, turk, francez etj.

Gazeta “Shqip” ka mundur ta sigurojë këtë dokument. Pranë klubit askush nuk preferon të japë sqarime në lidhje me këtë çështje, ndërsa në Bashkinë e Fierit të thonë se problemi do të zgjidhet shumë shpejt. Departamenti i financës në këtë bashki pohon zyrtarisht se, “ka pasur probleme me fondin e pagave”. 75% e klubit menaxhohet nga Koço Kokëdhima dhe 25% nga Bashkia e Fierit. Një gol ndaj Bylisit të dielën do të ishte një zgjidhje e mirë për situatën e vështirë financiare të futbollistëve të Apolonisë.

Top Channel