Vllaznia-Tirana, shorti nuk ka mëshirë

03/04/2009 09:45

Shorti i Kupës së Shqipërisë nuk ka mëshirë për “të mëdhenjtë”. Vllaznia e Tirana, dy rivalet më të ashpra për titullin në këtë sezon, do të përballen në gjysmëfinalen e këtij turneu, ku më pas njëra prej tyre do të vazhdojë të ëndërrojë për trofeun e dytë për nga prestigji në futbollin shqiptar.

Ky ka qenë verdikti i shortit të hedhur në FSHF. Pas polemikave të shumta dhe gafave të skuadrave, por edhe papërgjegjshmërisë në organet përkatëse në FSHF, më në fund, Kupa e Shqipërisë ka marrë një rrjedhë në një farë mënyre. Shkodranët, të cilët u eliminuan në fushë nga Dinamo, por fituan biletën për në gjysmëfinale në tavolinën e Komisionit të Disiplinës, do të ndeshen me Tiranën.

Takimi i parë do të luhet në “Loro Boriçi”, më 15 prill, ndërsa ai i kthimit, dy javë më pas, më 29 prill në Tiranë. Dy takimet e tyre në kampionatin aktual janë mbyllur në barazim: 0-0 në Shkodër dhe 1-1 në Tiranë. Çifti tjetër përbëhet nga fituesja e takimit Partizani-Flamurtari (8 prill 2009, stadiumi “Niko Dovana”, Durrës, ora 16:00) dhe Shkumbinit, që u kualifikua pas eliminimit të Besës.

Ndeshja e parë do të luhet në Tiranë ose Vlorë (varet nga skuadra që do të kualifikohet), ndërsa ajo e kthimit në Peqin. Si Partizani, ashtu edhe Flamurtari, përfituan nga një vendim i çuditshëm i Disiplinës, i cili u dha edhe një shans tjetër, edhe pse kanë bërë të njëjtën shkelje si Dinamo.

Top Channel