Danezët: Shqipëria, ekip për Kategori të katërt

03/04/2009 09:25

Ndeshja në stadiumin “Parken Stadium” të Kopenhagenit nuk ka shkaktuar probleme vetëm në kampin shqiptar, ku trajneri Ari Han është në prag të shkarkimit nga detyra.

Megjithëse fituan 3-0, tifozët danezë janë shprehur kundër skuadrës së tyre, që prodhon lojë të dobët. Edhe pse kryeson grupin eliminator me 13 pikë, Kombëtarja e Morten Olsen vazhdon të zhgënjejë.

“Nuk e kuptoj përse janë kaq entuziastë”, tha një tifoz për gazetën “Ekstra Bladet”. “Danimarka luajti më mirë me Shqipërinë sesa me Maltën, por a do të mjaftojnë paraqitje të tilla edhe me Portugalinë, Suedinë apo Hungarinë. Mos harroni që deri më tani kemi marrë gjashtë pikë me maltezët dhe tri me shqiptarët, të cilat janë përfaqësuese me nivelin e ekipeve të Kategorisë së Katërt”.

“Ishte një ndeshje shumë e shëmtuar, shtoi një tjetër. Kombëtarja luan futboll të mërzitshëm”. Edhe mediat skandinave janë shprehur kundër trajnerit Olsen, për taktikën e dobët që ai përdori me kuqezinjtë. Madje, në konferencën për shtyp, gazetarët e “shigjetuan” teknikun nëse besonte se ekipi i tij do të renditet i katërti në përfundim të eliminatoreve.

Top Channel