Bogdani “shënjestron” Bufon

03/04/2009 09:40

Erjon Bogdani ka rigjetur buzëqeshjen. Sulmuesi shqiptar është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm për Kievon në këtë fund sezoni.

E nëse vetëm një muaj më parë dukej i dëshpëruar, tashmë ai i lejon luksin vetes që të marrë në shënjestër Xhanluixhi Bufon, portierin më të mirë në botë.

Mbijetesa e veronezëve në elitën e futbollit italian kalon nga sfida e fundjavës kundër bardhezinjve në Torino. Por, Bogdani beson. Kauza e Kievos është shumë e rëndësishme për t’u dorëzuar, pavarësisht se përpara do të kenë një emër të madh të Serisë A.

Kujtimet kundër bardhezinjve nuk janë nga më të bukurat, por e kaluara vlen pak: 31-vjeçari synon të rishkruajë historinë. Të tijën dhe atë të klubit që përfaqëson.

“Kundër ekipeve të mëdha jemi paraqitur gjithmonë në nivele të larta”, shpjegoi Bogdani, i cili nuk ishte pjesë e Kombëtares në dy ndeshjet e humbura eliminatore me Hungarinë dhe Danimarkën. “E kam fjalën për ndeshjen në Romë kundër Lacios, ku kemi zhvilluar një prej ndeshjeve më të mira të këtij sezoni. Por, nuk duhet të harrojmë as takimin në Firence, nga i cili Kievo doli duarbosh vetëm në sekondat e fundit. Këta janë precedentë që tregojnë se kemi ditur të luajmë futbollin tonë edhe kundër ekipeve më të mëdha. Nuk është e lehtë që të përsëritësh paraqitjet e mira, mbi të gjitha kur kundërshtari quhet Juventus. Gjithsesi them: të futemi në fushë për të fituar. Më pas, të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Pas pothuajse një viti pa shënuar gol dhe qëndrimeve të vazhdueshme në stolin e rezervave, Bogdani po kalon një moment të lumtur. “Jam mirë psikologjikisht. Goli më ndihmoi, u zhbllokova. Fakti që aktivizohem në vazhdimësi më ndihmon të rikthehem në nivelet e mia. Të gjithë e kanë të vështirë të qëndrojnë jashtë fushës. Megjithatë, te Kievo edhe ata që nuk kanë luajtur, luftojnë për kauzën e përbashkët, pra mbijetesën. Jemi një skuadër e mirë dhe duhet të besojmë deri në fund se do t’ia dalim”.

Në fund, sulmuesi shtoi: “Na mbeten edhe nëntë beteja deri në mbylljen e sezonit. Ndeshje si kjo me Juventusin të stimulojnë. Do të më pëlqente të lë gjurmë kundër bardhezinjve, pasi kundërshtarë të tillë janë vërtetë të veçantë”.

Top Channel