Turku “pro” Asamblesë së 20 marsit

02/04/2009 09:10

Kaosi në KOKSH duket se do të vazhdojë për shumë kohë me gjithë kontestimet e bëra nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që nuk i njeh strukturat e zgjedhura nga Asambleja e Jashtëzakonshme e 20 marsit.

Një gjë e tillë nënkuptohet nga zhvillimet e djeshme rreth kësaj çështjeje. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku, në daljen e parë para mediave, ka sqaruar pozicionin e tij për sa i përket Asamblesë, që zgjodhi për president Esat Ademin.

Këtë e ka bërë një ditë pas takimit me presidentin e EOC-së, Patrik Heiki, dhe sekretarit të përgjithshëm, Rafaele Panjozi. Në konferencën e djeshme, ministri la të kuptohet se, ai është pro zgjedhjeve të reja të muajit mars.

“Përse nga Asambleja e kohës e datës nga 6 dhjetori, KOKSH nuk ndërmori iniciativën pas gati katër muajsh për të riorganizuar apo mbledhur Asamblenë. Kjo mbeti si një iniciativë e një pjese përfaqësuesish të sportit, që donin të realizonin këto zgjedhje”, thekson Turku.

Ai tha se shpreson në një zgjidhje të shpejtë të situatës së krijuar në KOKSH, megjithëse nuk ka fuqinë ligjore për të detyruar palët e përfshira.

“Mbeta i shokuar nga fakti se të pranishëm ishin 82 për qind. Me një përqindje të tillë, mund të rrëzohet qeveria, sqaroi më pas ministri. Në këto kushte, kur të gjitha federatat olimpike kanë rënë dakord të mblidhen në një Asamble të Jashtëzakonshme, a ka më autoritet KOKSH-i, që në bazë të procedurave të parashikuara, siç veproi dhe në datën 6, t’i bindë dhe t’i mbledhë këto federata në një asamble tjetër? Unë nuk e kam targetin të detyroj njërën palë të iniciojë dhe palën tjetër ta pranojë. Unë kam vetëm një target ligjor, që në bazë të dokumentacionit të dorëzuar nga Asambleja e Jashtëzakonshme e datës 20, të kthej një përgjigje për çka më kërkohet aty, një përgjigje ligjore”, nënvizoi Turku.

Përfaqësuesit evropianë të EOC-së janë takuar edhe me presidentin e ri të dalë nga asambleja e jashtëzakonshme, Esat Ademi. Ai i ka informuar rreth zhvillimeve të fundit, duke u munduar të faktojë rregullsinë e zgjedhjeve.

Mësohet se Ademi u ka vënë në dispozicion pamjet e plota filmike të Asamblesë, pasi Domi dhe Bello u kishin dhënë një material të cunguar filmik. Po ashtu u ka komunikuar se atyre u është vënë në dispozicion statuti i vjetër i KOKSH-it (i 2002-shit), ndërkohë që asambletë e 2004 dhe 2008 janë zhvilluar me një tjetër statut.

Top Channel