Disiplina përkrah Liçajt

02/04/2009 09:25

Edmond Liçaj fiton betejën me Flamurtarin, më saktësisht me sponsorin e këtij klubi, Shpëtim Gjika, që është njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës.

Trajneri mori drejtimin e stolit bregdetar në javën e dhjetë të Kategorisë Superiore (vetëm pak ditë pas dorëheqjes së Slavko Kovaçiç). Gjithsesi, aventura e tij me kuqezinjtë zgjati vetëm tetë ndeshje, sepse u largua duke akuzuar skuadrën për shitjen e ndeshjes me Apoloninë në javën e 18-të.

Largimi mes polemikave i Liçajt u shoqërua edhe me konflikt me sponsorin e skuadrës për rrogën, situatë që u zgjidh pas më shumë se një muaji.

Në mbledhjen e tij të djeshme, Komisioni i Disiplinës në FSHF vendosi që “kërkesa e ish-trajnerit të Flamurtarit për detyrimet financiare të sponsorit, për pagën e tre muajve të pranohet sipas marrëveshjes mes palëve”. Ndër të tjera, Disiplinori ka pezulluar me dy ndeshje zyrtarin e Elbasanit, Blendi Hoxholli, i cili është gjobitur edhe me 20 mijë lekë të reja.

Top Channel