Shqipëria difensive kërkon surprizën

01/04/2009 08:15

Një Shqipëri difensive pritet të zbresë sonte në mbrëmje në “Parken Stadion” të Kopenhagënit për t‘u përballur me Danimarkën.

Humbja e të shtunës ndaj Hungarisë e ka nxjerrë Kombëtaren tonë jashtë objektivit për vendin e katërt. Por kuqezinjtë nuk do të dorëzohen deri në fund të eliminatoreve dhe synimi i tyre për pjesën e mbetur është arritja e ndonjë surprize. Ky fakt mund ta shndërrojë atë automatikisht në një “plangprishëse” të pretendenteve të grupit 1.

Tentativa e parë do të jetë ajo e sotmja ndaj danezëve. Nga kampi kuqezi mësohet se trajneri Ari Han po përgatit një skuadër difensive, e cila do të kërkojë minimalisht të përsëritë rezultatin e arritur në Portugali. Sipas informacioneve të fundit, në dispozicion të trajnerit është rikthyer mesfushori Ervin Skela, aktivizimi i të cilit u vu në dyshim, pasi pësoi një goditje në kofshë ndaj Hungarisë dhe gjatë seancës së të hënës kreu një stërvitje të diferencuar.

Gjithsesi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u mësuar se fantazisti ka marrë pjesë në stërvitjen e fundit në “Parken Stadion”. Shanset që ai të jenë në fushën e lojës janë të mëdha. Moduli i zgjedhur nga tekniku holandez është ai i rikthimit te 4-5-1.

Në skuadër do të ndihet mungesa e Canës së skualifikuar për shkak kartonësh. Vendin e tij në qendër të mbrojtjes do ta zërë Beqiri. Në rolin e stoperit do të luajë edhe Dallku, ndërkohë që në krah pritet të aktivizohen Curri (në të majtë) dhe Vangjeli (në të djathtë).

Ndryshime priten në mes mesfushë, ku nuk shihen shanse për Likën. Vendin e tij të majtë me shumë mundësi do ta zërë Agoll. Ndërsa konfirmohen në këtë repart Bulku e Lala. Skela do të pozicionohet në qendër, ndërsa Duro do të mbulojë krahun e djathtë. E sigurt është që Han do të luajë me një sulmues të vetëm. Në balotazh qëndrojnë Salihi dhe Berisha. Gjatë seancës së fundit stërvitore, tekniku i ka provuar të dy futbollistë në këtë repart. Ndaj Danimarkës, Shqipëria shpreson të marrë të paktën një pikë.

“Ne duhet të ngremë kokën lart dhe të synojmë të marrim pikë në Danimarkë, ka deklaruar Ari Han. Pavarësisht nga ajo që ndodhi me Hungarinë, duhet të kemi forcë që të ngrihemi në këmbë”. Danezët i kanë kushtuar shumë pak rëndësi përfaqësueses sonë. Kjo duket edhe nga fakti se edhe pse trajneri i Kombëtares sonë ka qenë i gatshëm gjatë ditës së djeshme për të zhvilluar një konferencë për shtyp, mungesa e interesit të gazetarëve vendas ka bërë që kjo të mos ndodhë. Të paktën 500 tifozë kuqezinj priten të jenë në stadiumin “Parken Stadium” në Kopenhagën, për të mbështetur Shqipërinë në përballjen e parë kundër Danimarkës.

Po ashtu në tribunën vip pritet të jetë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Lajmi jepet nga faqja zyrtare e Federatës Daneze të Futbollit, DBU, që thekson se për momentin janë shitur rreth 21 mijë e 200 bileta. 

Top Channel