
Një fitore, tri barazime dhe një humbje, që vlejnë 6 pikë dhe vendi i tretë në grupin 1, përkrah Suedisë dhe Shqipërisë modeste.
Kjo është analiza pesimiste, që i bën shtypi portugez ecurisë së kombëtares së tyre në këto eliminatore. Vendi i parë mbahet nga Danimarka dhe Hungari me 10 pikë, gjë që e komplikon akoma më shumë ecurinë e Portugalisë, e cila vuan mungesën e golit. Edhe pse në radhët e tyre kanë emra të respektuar si Bosingua, Karvaljo, Pepe, Tiago, Simao, Deko, Nani, Mutinjo e Kristiano Ronaldo, portugezët po zhgënjejnë në këto eliminatore. Në qendër të kritikave si zakonisht përfundon trajneri. Karlos Kueiroz shikohet si përgjegjësi më i madh.
“Pa gola nuk ekzistojnë mrekulli”, është titulli i të përditshmes më të madhe sportive, “A Bola”. Gazeta “O Jogo” tregohet më e ashpër në titullin e saj “Africa Addio” (“Lamtumirë Afrikë”). Në një artikull të gjatë ajo nxjerr në pah të këqijat e kësaj skuadre, e cila sipas tyre “qelbet nga koka” (trajneri).
Por Kueiroz beson ende te mundësitë për t’u kualifikuar. Duke analizuar ndeshjet e mbetura ndaj Shqipërisë, Danimarkës, Maltës dhe sfidë së dyfishtë ndaj Hungarisë, ai është shprehur: “Na mjafton vetëm një gol për ndeshje. Thjesht të shënojmë për të fituar”.
Top Channel