Salihi: Me Hungarine do te fitojme 2-0

25/03/2009 10:10

Një “golashënues race” në fushë, por një djalosh i ndrojtur jashtë saj. Hamdi Salihi nuk ka ndryshuar aspak.

Përpara se të flasë me mediat pyet nëse do të kishte edhe ndonjë tjetër shok të skuadrës përkrah, sikur kjo do ta bënte të ndihej më i sigurt. Me kalimin e kohës, sulmuesi i Riedit qetësohet, madje nuk ngurron të japë edhe parashikime të guximshme… si ai për rezultatin e ndeshjes me Hungarinë.

“Shpresoj të fitojmë 2-0 të shtunën, që të marrim hakun plotësisht ndaj hungarezëve për humbjen në takimin e parë”, ishin fjalët e Salihit. Nga rezultati i sfidës në “Qemal Stafa” do të varet edhe ecuria e Shqipërisë në këto eliminatore. Deri më tani jo gjithçka ka ecur sipas parashikimeve (mjafton të kujtojmë barazimin 0-0 në fushën e Maltës). Kur pyetet sa pikë mund të grumbullojë Kombëtarja deri në fund të eliminatoreve, 25-vjeçari thekson: “Këtë nuk di ta them me saktësi. Me atë që kemi treguar deri më tani, jemi një skuadër me oshilacione. Nëse do të ishim mirë, me planet e fillimit të eliminatoreve ndryshe mund të kishim më shumë se 12 pikë. Është pak e vështirë që të bëjmë këto lloj krahasimesh. Tani duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”.

Me “mënjanimet” e Bogdanit dhe Kapllanit, Hamdi Salihi shihet si alternativa e parë në sulmin kuqezi. Por, pavarësisht kësaj, shkodrani mbetet i përulur dhe nuk e ndien veten titullar. Të paktën deri kur trajneri Ari Han të publikojë formacionin.

“Absolutisht nuk e konsideroj veten titullar. Derisa trajneri të bëjë publik formacionin, shanset janë të barabarta edhe për sulmuesit e tjerë. Derisa edhe tre sulmuesit e tjerë marrë një ftesë, ata e kanë merituar të jenë këtu. Shpresoj të jem zgjedhja e trajnerit dhe të bëj më të mirën nëse do të zbres në fushë, deklaroi Salihi. Normalisht me mungesën e Bogdanit, tani përgjegjësia bie mbi të katërt sulmuesit. Aq më tepër kur mendon se për të grumbulluar këta lojtarë, janë lënë jashtë dy titullarë të këtyre viteve të fundit si Bogdani dhe Kapllani, që kanë mbajtur peshën e ekipit. Të gjithë bashkë duhet ta justifikojmë këtë besim”.

Në vazhdim, ai deklaroi se takimi i 28 marsit nuk do të zgjidhet nga sumuesit: “Nuk besoj se përgjegjësia për të zgjidhur këtë ndeshje do të jetë vetëm i sulmuesve. Kjo është detyra e të gjithë ekipit, duke filluar nga stafi teknik e deri te lojtarët. Rezultatet më të mira që kemi pasur i kemi marrë duke luajtur si grup”. Në fund, Salihi kërkon të reflektojë formën e mirë që po kalon edhe me Shqipërinë, ndërsa pohon se do të preferonte që të mos luante si sulmues i vetëm.

“Ashtu si unë, edhe sulmuesit e tjerë të Kombëtares po kalojnë momente të mira, megjithatë nuk është e thjeshtë të bëhesh golashënues i Kombëtares. Unë do të mundohem të reflektoj në këto eliminatore formën e mirë që po kaloj me klubin. Sulmues i vetëm? Në këtë repart është gjithmonë më mirë kur luajnë dy, pasi përgjegjësia dhe lodhja shpërndahet, por kjo është zgjidhje e trajnerit dhe nuk e di si do të rreshtohemi në fushë”.

Top Channel