Lila peson terheqje muskulore

25/03/2009 10:25

Në përgatitjet për ndeshjen e 28 marsit me Hungarinë, në kontingjentin kuqezi është regjistruar edhe problemi i parë.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Andi Lila, që gjatë seancës së paradites së djeshme pësoi një tërheqje muskulore në këmbën e djathtë.

23-vjeçari i Tiranës e ka mbyllur përpara kohe stërvitjen në stadiumin e Kavajës dhe është transportuar menjëherë në hotel “Dyrrah”. Gjatë gjithë mesditës, Lila ka qenë nën kujdesin e stafit mjekësor të Kombëtares, ndërkohë që pasdite, në stërvitjen e zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit, ai ka punuar i diferencuar.

Trajneri Ari Han dhe ndihmësit e tij kanë vendosur që lojtari të mos largohet nga grumbullimi, por të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës për dy takimet eliminatore të radhës. Gjatë gjithë kësaj jave do të vlerësohet gjendja e Lilës, për të mësuar nëse ai do të jetë i gatshëm kundër Hungarisë. Më 1 prill, Shqipëria luan në fushën e Danimarkës së drejtuar nga trajneri Morten Olsen.

Gjatë ditës së djeshme është regjistruar edhe një tjetër episod i pakëndshëm. Stërvitja e paradites, e planifikuar të fillonte në orën 10:00 u shty për afro 60 minuta, pasi autobusi i kuqezinjve është prishur. Përfaqësuesja u detyrua të priste mbërritjen e një tjetër mjeti transporti nga Tirana, për të vazhduar përgatitjet sipas planit.

Top Channel