Altin Lala: Po nuk fituam, Hushtin do ta marr peng

25/03/2009 10:30

Rikthimi pas pesë muajsh pranë Kombëtares, duket se i ka dhuruar një rini të dytë Altin Lalës.

Ndeshja e tij e fundit ishte barazimi historik 0-0 në Portugali, më 15 tetor 2008, ndërsa më pas erdhi operacioni për hernie diskale.

33-vjeçari është riaftësuar plotësisht, madje duke thyer të gjitha afatet e përcaktuar nga mjekët dhe është i gatshëm të japë kontributin për skuadrën. Nga grumbullimi në Durrës, kapiteni kuqezi është shfaqur në formë të jashtëzakonshme, ku ka lëshuar një breshëri batutash. Një prej tyre, lidhet më takimin e së shtunës kundër Hungarisë, më saktësisht me ish-shokun e skuadrës, Szabolks Hushti. Për takimin e humbur 2-0 në “Ferenc Pushkash”, Lala kishte hedhur 200 euro bast me mesfushorin që tani luan te Zenit St. Petersburg, se kuqezinjtë fitonin. Por tashmë, tri pikët shihen si jetike, ndryshon edhe strategjia.

“Nëse nuk arrijmë të fitojmë në ‘Qemal Stafa’, Hushtin do ta marr peng. Nuk do ta lë të shkojë në Rinas”, deklaroi Lala duke qeshur. “Vazhdojmë të mbetemi miq të mirë, pavarësisht se tani ai luan shumë larg. Flasim më telefon dhe gjithmonë bëjmë shumë shaka”. Batutat nuk mungojnë as kur flitet për kundërshtarët e grupit “Suedia dhe Danimarka janë ndeshje më të lehta”, apo edhe për Altin Lalën e ri të Shqipërisë: “Të paktën nga fiziku më ngjan Hyka. Të gjithë të tjerët janë më të gjatë. Për sa i takon kualitetit, ka shumë të rinj cilësorë dhe një prej tyre është Bakaj”.

Në konferencë nuk kanë munguar as temat serioze. Kavajasi tregon se këshilla e teknikut të Hanoverit, Dieter Heking, ishte të mos aktivizohej me Shqipërinë. “Trajneri im nuk donte që unë të grumbullohesha me Kombëtaren. Por, nuk mund të mungoja, pasi këto janë dy ndeshje janë vendimtare, sidomos me Hungarinë. Na duhet patjetër një fitore, sepse do të ndryshonte shumë gjëra dhe do t’i kalonim në renditje. Barazimi nuk më kënaq asnjëherë, sepse me këtë sistem tri pikësh nuk është se të ngre shumë në tabelë. Megjithatë, ky rezultat mund të pranohet si gjysma e së keqes”, tha veterani.

Lala konfirmoi edhe gjendjen e mirë fizike: “Jam pjesë e Kombëtares, që të jap kontributin tim. Në nëntorin e kaluar kam bërë një operacion, që më ka lënë jashtë fushës për një kohë të gjatë. Tani ndihem më mirë. Për të përballuar këtë 90-minutësh kam zhvilluar tri ndeshje me skuadrën e dytë të Hanoverit, plus që jam stërvitur edhe vetë, madje me trajner personal. Kam shumë uri të luaj, aq më shumë që bëhet fjalë për ekipin përfaqësues. Jam i dyti pas Strakoshës për prezenca? Do të vazhdoj të luaj sa më shumë. E shijoj çdo ndeshje me kombëtaren”. Në fund edhe dy fjalë për konfliktin me drejtuesit e stadiumit “Qemal Stafa”, për mbylljen e dyerve.

“Kjo më kujton kohën e xhaxhit Enver. Është absurde. Një skandal i madh, nuk ia vlen as të diskutohet. Nëse do të ndodhte në Gjermani, që kombëtarja të pengohej të stërvitet në “Lajpcig”, atje do ta zhvendosnin stadiumin. Justifikimi se prishet tapeti është i turpshëm, mund të blejnë një tjetër në Holandë. E nëse nuk kanë para, i grumbullojmë ne dhe ia japim nga xhepat tanë”, tha Lala.

Top Channel