Skela: I befasuar me mungesën e Bogdanit

24/03/2009 09:45

Ervin Skela, mesfushori që militon me Energie Kotbus në Bundesligën gjermane, pranoi se u befasua kur mësoi që trajneri Ari Han nuk kishte grumbulluar Erjon Bogdanin për dy takimet e radhës.

Edhe pse sulmuesi 31-vjeçar ka siguruar një vend në formacion me Kievon, kjo nuk ka mjaftuar që ai të jetë kundër Hungarisë dhe Danimarkës.

“Me sinqeritet them se jam befasuar kur nuk e kam parë emrin e tij në listë. Gjithmonë kam menduar se një lojtar si Bogdani i shërben shumë Kombëtares shqiptare. Uroj që ai të rikthehet sa më shpejt në skuadër, në mënyrë që të japë kontributin e tij”, deklaroi Skela nga grumbullimi në Durrës.

Fantazisti vlonjat e cilëson ndeshjen me Hungarinë si një prej më të rëndësishmeve në Grupin 1. Sipas tij, skuadra duhet të tregojë që në fillim se dëshiron të fitojë, ndërkohë që ftoi sulmuesit të tregohen më agresivë përpara portës. “Ndeshja me Hungarinë është sfida kyçe e këtyre eliminatoreve dhe duhet ta marrim seriozisht që prej minutës së parë. Duhet të tregojmë prej fillimit që duam ta fitojmë”, shtoi ai.

Skela pohoi se ndihet shumë i zhgënjyer nga barazimi me Maltën më 11 shkurt: “Kemi mësuar shumë gjëra nga ajo ndeshje. Shpresojmë që mos të përsërisim të njëjtat gabime si në të kaluarën”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA