“Ukrainasit” plotësojnë kontingjentin

24/03/2009 09:55

Pas dy ditëve stërvitje të “përgjysmuar”, kontingjenti i përfaqësueses është plotësuar me ardhjen e legjionarëve që militojnë në Ukrainë.

Isli Hidi, Ervin Bulku dhe Dorian Bylykbashi janë bashkuar me skuadrën gjatë orëve të pasdites së djeshme, ndërkohë që të fundit në hotel “Dyrrahu” kanë mbërritur Debatik Curri dhe Armend Dallku. Pas udhëtimit sfilitës, të pestë këta lojtarë do të jenë nën urdhrat e trajnerit Ari Han, për të përgatitur takimin e 28 marsit kundër Hungarisë.

Edhe sot stërvitja do të vazhdojë me ngarkesë të plotë, ku seanca e paradites do të zhvillohet në Kavajë, ndërsa ajo e pasdites në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Aty drejtuesi i stolit kuqezi do të përgatisë skemat për ndeshjen e fundjavës, ndërkohë që pikëpyetjet më të mëdha i përkasin sulmit. Hamdi Salihi është lojtari më i “kuotuar” në këtë repart, por nuk përjashtohet aktivizimi i Besart Berishës përkrah lojtarit të Riedit. Lorik Cana dhe Altin Lala do të zënë vendet e tyre në mesfushë.

Top Channel