Tirana-Vllaznia, dueli për kreun vazhdon në distancë

21/03/2009 11:05

Edhe pse ende vazhdon jehona e gafave në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, që sot pret kapitullin
tjetër, atë të vendimit të Komisionit të Apelit, vëmendja e opinionit sportiv do të jetë e përqendruar te Kategoria Superiore, që do të luajnë sot edhe ndeshjet e javës së 25-të.

Kjo javë ofron përballje interesante për dy bashkëkryesueset e deritanishëm të sezonit, Tirana e Vllaznia (të dyja me nga 45 pikë), të cilat do të synojnë fi toret para publikut të tyre.

Kryeqytetasit do të presin në shtëpinë e tyre Apoloninë e uritur për pikë, që do ta ndihmonin të bënte ndonjë hap përpara drejt shmangies nga grupi i fundit të tabelës. Por bardheblutë e dinë mirë se tani është koha kur nuk lejohen hapat fals, kështu që sot kanë shansin të fitojnë 3 pikë të konsideruara të lehta në letër dhe të shpresojnë që rivalët shkodranë t’u bëjnë dhe një tjetër gabim.

Vllaznia, e cila tashmë do të ketë edhe shërbimin e sulmuesit Vioresin Sinani, do të zbresë në “Loro Boriçi” përballë Flamurtarit me një synim të vetëm: fitoren. Optimizmi për realizimin e këtij objektivi është i madh në radhët e kuqebluve. Tirana dhe Vllaznia duelojnë në distancë për kreun, ndërsa Dinamo do të kërkojë të mos u largohet atyre duke gjetur rrugën e rikthimin te fitoret.

Por do ta kenë të vështirë përballë Elbasanit, i cili pozicionohet pranë zonës së rrezikshme. Sfida që do të luhet sot në kryeqytet propozohet si një nga më interesantet e kësaj jave. Aspak për t’u nënvlerësuar edhe përballja Besa-Teuta në Kavajë. Të dy këto ekipe rivalizojnë ashpër me njëri-tjetrin në tabelë dhe sfida e sotme shikohet si një mundësi për t’u sistemuar në një pozicion më komod në tabelë.

Partizani do të kërkojë të marrë pikë në Peqin, por përballë vendasve, që kanë objektiv një vend për në Evropë, gjithçka duket edhe më e vështirë.

Top Channel