Sot Asambleja e KOKSH

20/03/2009 08:45

Sot, në orën 17:00, një pjesë e federatave sportive në vend do të organizojnë Asamblenë e jashtëzakonshme për të zgjedhur drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Pasi kanë grumbulluar 2/3 e firmave, “nismëtarët”, të cilët janë anëtarë me të drejtë vote, synojnë që sipas statutit të zhvillojnë zgjedhjet. Kjo, pavarësisht faktit se iniciativa nuk është pranuar as nga drejtuesit aktualë të KOKSH dhe krerët e Komitetit Olimpik Kombëtar (CIO).

Në fakt, vetëm pak kohë më parë ndërkombëtarët konfirmuan qëndrimin e tyre, duke bërë të qartë se njohin vetëm presidentin Hysen Domi dhe sekretarin Stavri Bello dhe se data e Asamblesë do të përcaktohet në një periudhë të mëvonshme, deri kur të sigurohen zgjedhjet demokratike dhe transparente.

Por, për çudi të të gjithëve, “rebelët” kanë gjetur mbështetjen e Ministrisë së Sporteve, e cila është shprehur e gatshme të asistojë në zgjedhjen e organeve të reja drejtuese në KOKSH. Në MTKRS duket se i kanë harruar episodet e dhunshme që u regjistruan në Asamblenë e 6 dhjetorit 2008 dhe as që kanë ndërmend të marrin në konsideratë paralajmërimet e CIO-s.

Ndërkohë, kandidati për president, Fidel Ylli, i cili garon kundër presidentit të FSHP-së, Esat Ademi, është distancuar nga zgjedhjet e sotme, duke pohuar se nuk do të marrë pjesë.

Top Channel