Skandali, FSHN përjashton Rovena Markun

20/03/2009 08:30

“Nuk do të shkoj në Botërorin e Romës, sepse nuk kam para të paguaj kuotën e domosdoshme, 1200 euro. Federata nuk më mbështet financiarisht”.

Kanë qenë pikërisht këto dy fjali, të thëna nga goja e Rovena Markut në një emision televiziv më 26 shkurt të 2009-ës, të cilat i kanë kushtuar shtrenjtë notares së njohur shqiptare me disa titujt kampionë dhe rekorde kombëtare në këtë sport.

Pikërisht dje, krejt papritmas, ka mësuar se është përjashtuar nga të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Duket se Federata Shqiptare e Notit nuk e ka përtypur dot këtë pohimin e saj në media dhe ka marrë menjëherë një masë të ashpër.

“Shkelje e Etikës”, është pikërisht ky motivimi që shoqëron tashmë vendimin e FSHN-së për përjashtimin e Markut. Burime brenda kësaj federate kanë saktësuar se bëhet fjalë për një vendim të marrë në datën 13 mars, i cili nuk është bërë publik, por krejt rastësisht është zbuluar vetëm dje.

Çudit edhe më shumë fakti se vetë notarja nuk është njoftuar direkt për përjashtimin e saj. E shokuar pas marrjes së lajmit në një nga ditët e zakonshme të jetës së saj, si ajo e djeshmja, vetë Rovena ka kontaktuar me sekretaren e federatës, Suela Haxhiaj, për më shumë sqarime.

“Po je e përjashtuar, por arsyet hajde të t’i shpjegoj nesër (sot)”, i është përgjigjur Haxhiaj dhe më pas i ka mbyllur telefonin.

Tentativat tona për të kontaktuar me zonjën Haxhiaj, e cila do të mund të na shpjegonte versionin e FSHN-së, kanë rezultuar të dështuara, pasi askush nuk ka denjuar të na hapë telefonin.

Vendimi është nënshkruar nga 4 prej 6 anëtarëve të kryesisë së federatës, pasi dy nuk kanë qenë të pranishëm, bëjnë të ditur burime brenda FSHN-së. Por skandali thellohet akoma më shumë me faktin se dy prej anëtarëve që kanë firmosur, i kanë pohuar notares dje se “kanë hedhur diku një firmë, sepse u është kërkuar, por pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë”.

Gjithsesi, vetë notarja ka shpjeguar se deklarata e saj në emisionin televiziv ka qenë thjesht një e vërtetë.

 

Top Channel