MTKRS: Notarët e mirë, financim nga shteti

19/03/2009 08:55

“Notarët më të mirë do të financohen nga shteti”. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) në lidhje me përcaktimin e politikave financiare, duke u shprehur kundër dërgimit të sportistëve me paratë e tyre.

“I kam kërkuar sekretares së FSHN-së, Suela Haxhia, që të mbledhë këshillin teknik dhe specialistët më të mirë të notit dhe të përcaktohen sportistët me rezultatet më të mira, në mënyrë që ne si shtet të financojmë më të mirët”, zyrtarja e ministrisë në fjalë, Violeta Shqevi, i cila pohon që mbledhja pritet të zhvillohet gjatë kësaj jave.

Sipas Shqevit, 4 notarët më të mirë do të dërgohen në Botërorin e Romës me paratë e shtetit, 4 të tjerë i financon FINA (Federata Botërore e Notit), ndërsa të tjerët që parashikohet të shkojnë duhet të gjejnë sponsor.

Po ashtu ka pohuar se ka kërkuar informacion nga Federata e Notit në lidhje me përzgjedhjen e sportistit që përfiton bursën për Lojërat Mesdhetare, që iu dha Mario Sulkjes, por që u shoqëruar me kontestimin e disa sportistëve të tjerë. Konstatohet se rezultatet e Sulkjes janë të mira, por një tjetër faktor jo pak i rëndësishëm, që e vendos këtë notar para shumë prej të ankuarve, është pikërisht mosha e tij e re.

Sipas specialistëve, kulmi i rendimentit të notarëve është mosha 17-18, dhe Suljka është më i miri në moshën e tij dhe premtues për të ardhmen e notit shqiptar.

Top Channel