Kupa e Vllaznisë, e rregullt

19/03/2009 08:45

Skandali i aktivizimeve të parregullta të lojtarëve në çerekfinalet e Kupës, ka krijuar një kaos të vërtetë në futbollin shqiptar, i cili ende nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare dhe duket se do të vazhdojë edhe për disa kohë.

Por të martën është shtuar dhe një tjetër kapitull rreth kësaj çështjeje. E reja ka të bëjë me kundër-reagimin e Dinamos, që ka ngritur akuza ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit se nuk është treguar përgjegjëse për të parandaluar shkeljet e rregullores.

Për këtë arsye, përfaqësuesit e kampionëve në fuqi të Shqipërisë përmendin faktin se, një shkelje të pikës së rregullores ““Lojtari në Kupën e Shqipërisë ka të drejtë në një sezon të marrë pjesë vetëm me një ekip”, kanë ndodhur edhe në sezonin e kaluar.

Dhe evidentojnë pikërisht “akuzuesin” e tyre, Vllazninë, se në edicionin e kaluar në finalen të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës (të fituar 2-0), kanë aktivizuar futbollistin Ilir Nallbani, i cili në pjesën e parë të këtij sezoni kishte luajtur në këtë kompeticion në radhët e Elbasanit.

Madje, blutë kanë kërkuar edhe që shkodranëve t’u hiqet trofeu. Por FSHF, e cila për të thënë të vërtetën në këtë mesele ka shumë gjynahe, nuk mund të mbajë mbi supe edhe këtë akuzë të fundit të Dinamos. Edhe pse jo zyrtarisht, zyrtarë të federatës kanë sqaruar se arsyetimi i Dinamos për edicionin e kaluar nuk qëndron.

“Megjithëse rregullorja ka dy vite që është bërë edhe edicionin e kaluar është përdorur rregullorja e vjetër, konfirmon zyrtari i mësipërm, i cili preferon të mbetet anonim. Kjo pasi ndryshimi nuk kishte hyrë në fuqi, për shkak se nuk ishte bërë e mundur shpërndarja e rregullores në të gjitha klubet. Kështu që në sezonin 2007-2008 të praktikohej sërish rregullorja e vjetër”.

Një gjë e tillë e legjitimon trofeun e fituar me rezultatin nga shkodranët në sfidën finale përballë Tiranës. Ndërkohë që në lidhje me çështjen aktuale të aplikimit të dy standardeve të gjykimit për të njëjtën shkelje që solli eliminimin e Dinamos, por u dha një shans tjetër Partizanit dhe Flamurtarit, askush në FSHF nuk merr përsipër të përgjigjet, por të drejton nga Komisioni i Disiplinës, apo sugjeron të pritet vendimi i Komisionit të Apelit.

Top Channel