Han fshin Bogdanin nga Kombetarja

18/03/2009 08:55

Mungesa e Erjon Bogdanit në Kombëtare për dy ndeshjet e radhës kundër Hungarisë (më 28 mars) dhe Danimarkës (më 1 prill) është surpriza e madhe e listës së të thirrurve, që pasohet me rikthimet e Migen Memellit dhe Dorian Bylykbashit. Gjithçka është mësuar pas publikimit të kësaj liste nga ana e FSHF-së.

Për të dyja takimet (i pari në “Qemal Stafa” dhe i dyti në “Parken Stadium” në Kopenhagen), që janë të vlefshme për eliminatoret e botërorit “Afrikë e Jugut 2010”, Han ka vendosur të grumbullojë 23 futbollistë. Shtrirja gjeografike e përzgjedhjeve është 15 nga kampionatet evropiane, 1 nga kampionati azerbajxhanas dhe 7 nga kampionati shqiptar.

Bogdani – Një thikë pas shpine ka qenë për vetë Bogdanin kjo lënie jashtë listës. Tekniku holandez nuk e ka preferuar sulmuesin e Kievos. Duket se Hani është zhgënjyer së tepërmi për paraqitjen e dobët të tij në Maltë, ku ka shpërdoruar edhe rastin e artë për të shënuar vetëm pak metra larg portës kundërshtare. Po ashtu, goli i shënuar nga sulmuesi ndaj Lacios këtë fundjavë nuk ka ndikuar fare te trajneri, i cili duket se e kishte marrë me kohë vendimin për t’ia fshirë emrin nga lista. Ndërkohë që janë lënë jashtë sërish edhe sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani, dhe mesfushori i ri i Mancit, Jahmir Hyka. I pari nuk po e bind trajnerin me paraqitjen e tij, ndërsa i dyti vazhdon të mos aktivizohet në radhët e skuadrës gjermane të Bundesligës 2.

Memelli – Mosgrumbullimit të dy sulmuesve të mësipërm, holandezi u është kundërpërgjigjur me një tjetër lëvizje surprizë, ftesën e Migen Memellin, sulmuesit më të mirë të Superligës shqiptare. Pogradecari ka shënuar deri tani 14 gola në kampionatin tonë, më shumë se kushdo tjetër. Ari Han e ka ndjekur në disa ndeshje të Tiranës, por vetëm tani i është mbushur mendja ta provojë. Për Memellin, ky është një rikthim, pasi është grumbulluar edhe në miqësoren ndaj Maqedonisë, por nuk është aktivizuar.

Bylykbashi – I rikthyer konsiderohet edhe Dorian Bylykbashi, i cili ka fituar të drejtën për një vend në Kombëtare, vetëm pasi ka bindur Hanin, që e vëzhgoi në aksion nga shkallët e stadiumeve ukrainase. Ish-fantazisti i Partizanit, që luan prej dy sezonesh në radhët e ukrainasve të Krivbasit, tashmë do të jetë një tjetër alternativë e trajnerit për ndeshjet e radhës.

Rikuperimet
– Tashmë Kombëtarja duket se do të jetë më e kompletuar falë rikuperimit të dy lojtarëve kryesorë, Lorik Canës dhe Altin Lalës, mungesa e të cilëve për shkak të dëmtimeve u ndje shumë ndaj Maltës. Dy ndeshjet, ndaj Ajaksit në Kupën UEFA dhe ndaj PSG-së në kampionatin francez, kanë ofruar një gjendje të mirë fizike të Lorikut. Jo më pak i rëndësishëm është rikthimi në formacion i Altin Lalës pas operimit në shpinë. Grumbullimi nis të dielën në orën 14:30, në hotelin “Dyrrah” në Durrës. Në dy ndeshjet e radhës, Shqipëria do të synojë të marrë më të mirën, duke tentuar të përmirësojë ndonjë pozicion të saj në tabelën e klasifikimit. 

Top Channel