Ervin Kuman: Kënaqemi edhe me një barazim

18/03/2009 09:05

Hungaria do të ishte e kënaqur edhe me një barazim në takimin e 28 marsit, që do të luhet në Tiranë. Duke folur për mediat, trajneri i përfaqësueses hungareze pohoi se skuadra e tij do të zbresë në fushën e stadiumit “Qemal Stafa”, me synimin për të fituar, por marrja e 1 pike nuk do të ishte kurrsesi dështim.

Kundërshtarët e Shqipërisë e cilësojnë sfidën, e parashikuar për t’u luajtur pas dhjetë ditësh, si vendimtare për ecurinë në eliminatoret e Botërorit 2010. “A mendoj se ndeshja me Shqipërinë është më e rëndësishmja për Hungarinë në të gjitha këto eliminatore? Po, mund të them se ajo qëndron përmbi të tjerat, por vetëm sepse në Tiranë luajmë ndeshjen e radhës dhe duhet të jemi të përqendruar maksimalisht”, deklaroi holandezi 47-vjeçar, që ka marrë drejtimin e Hungarisë më 1 maj 2008.

“Objektivi ynë kryesor është që me Shqipërinë të mos humbasim. Padyshim që fitorja në fushë kundërshtare do të ishte maksimumi për ne. Ata janë një kundërshtar direkt në grupin eliminator dhe me tri pikë do të vazhdonim ecurinë pozitive.

Megjithatë, do të isha i kënaqur edhe në rast se në përfundim të kësaj ndeshjeje do të merrnim një pikë. Mund të vazhdojmë të ëndërrojmë për kualifikim dhe të mbetemi konkurrues edhe me një barazim. Specifika e përballjes së 28 marsit ndryshon nga takimi i mëparshëm, ku luajtëm në shtëpi dhe fituam. Skuadra do të jetë nën presion, jo vetëm se Shqipëria nuk është një kundërshtar i lehtë në fushën e saj, por edhe sepse në Hungari presin që ne të fitojmë”.

Katër ditë pas ndeshjes me kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han, hungarezët presin Maltën, në impiantin gjigand “Ferenc Pushkash”.

Për këto dy takime, trajneri ka grumbulluar 28 lojtarë, vendim që është cilësuar i çuditshëm nga mediat vendase. Në Tiranë, Kuman nuk duhet të llogarisë shërbimet e dy mbrojtësve, Roland Juhaz i belgëve të Anderlehtit dhe Lazlo Bodnar i austriakëve të Salzburg.

Hungaria, e cila renditet e dyta në Grupin 1, me 7 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje, të hënën e ardhshme do të startojë përgatitjet anti-Shqipëri. Në anën tjetër, pas barazimit zhgënjyes 0-0 në Maltë, më 11 shkurt, kuqezinjtë humbën shansin për t’u rikthyer në krye të grupit eliminator. Skuadra e drejtuar nga Han ka 6 pikë pas pesë ndeshjeve të luajtura.

Top Channel