Sipas UEFA-s, Flamurtari brenda rregullave

17/03/2009 09:05

Zgjidhja e gjithë këtij problemi ishte fare e thjeshtë dhe do t’ia kishte kursyer Federatës Shqiptare të Futbollit një tjetër figurë të keqe.

Formula e përdorur në Kupën e Shqipërisë, ku një futbollist mund të luajë vetëm me një skuadër gjatë një sezoni, është huazuar nga formati që UEFA përdor në aktivitetet evropiane për klube. Mjafton t’i hedhësh një sy rregullores së “qeverisë” kontinentale, për të kuptuar se Flamurtari nuk duhet penalizuar, pasi nuk ka bërë asnjë shkelje si ato të Dinamos dhe Partizanit.

Në nenin 17, pika 7 të kapitullit për “Situata të Paparashikuara” thuhet shprehimisht: “Përveç tre raundeve të Kupës Intertoto dhe aktivizimit në Superkupë, një lojtar nuk mund të luajë në aktivitetet e UEFA-s për klube për më shumë se një skuadër brenda të njëjtit sezon. Futbollistët që kanë qëndruar në stolin e rezervave dhe nuk kanë hyrë në fushë me skuadrën e mëparshme, lejohen të aktivizohen me një tjetër ekip brenda të njëjtit sezon”.

Kjo favorizon vlonjatët për çështjen e lojtarit Eriol Merxha. Ky i fundit ka qenë pjesë e Elbasanit në ndeshjen kundër Besëlidhjes, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, por ka qëndruar vetëm në stol. Duke qenë se nuk e ka prekur fushën me elbasanasit, sipas rregullores së UEFA-s, ai lejohet të luajë me Flamurtarin.

Top Channel