Cana: Goli, për tifozët shqiptarë

17/03/2009 09:45

Lorik Cana rikthehet protagonist tek Olimpiku i Marsejës dhe këtë e bën duke shënuar golin e tretë në fitoren e rëndësishme kundër ish-skuadrës së tij, Paris Sën Zhermeijnit.

Kjo ka qenë një nga mbrëmjet e tij më të bukura, e cila i ka dhuruar çaste lumturie, por ajo që ka befasuar median franceze (sport365.fr.) ka të bëjë me dedikimin e veçantë që Cana ka bërë për golin e tij.

I pyetur nga gazetarët nëse “të shënosh në ‘Park des Princes’ është diçka e veçantë apo jo për ju?”, kapiteni shqiptar i Marsejës është përgjigjur: “Po, kjo është e vërtetë, për më tepër që ishte goli im i parë në këtë stadium. Unë kam luajtur më shumë se dy sezone në Paris, dhe më e pabesueshmja është te fakti se unë nuk kisha mundur të shënoja. Nuk dua ta fsheh se dëshiroja me gjithë shpirt të shënoja këtë herë. Goli u ka dhënë kënaqësi të gjithë njerëzve që më kanë parë në Shqipëri, dhe ua dedikoj atyre këtë gol”.

 Me këtë fitore, Marseja rifutet në lojën për titull, por megjithatë Cana dëshiron të jetë me “këmbët në tokë”. “Është një nga mbrëmjet më të bukura për klubin. Dihej rëndësia e kësaj fitoreje, që na ka dhënë më shumë besim e kredite. Jemi të vendosur shumë mirë në sprintin final. Për mua, është shumë shpejt për të thënë se do t’ia marrim titullin Lionit. Rruga është ende shumë e gjatë. Janë akoma 30 pikë në lojë, janë shumë. Duhet të bëjmë gjithçka me kujdes”, ka sqaruar Cana.  
 
 
 

Top Channel