Berisha, një gol për trajnerin Han

17/03/2009 09:50

Besart Berisha i ka të gjitha arsyet për të qenë i lumtur.

 Në dy javë me Horsens ka shënuar tri gola, që i kanë dhuruar skuadrës 6 pikë në luftën për mbijetesë. Por, në takimin e së dielës, ku shënoi në fushën e Nordsjellandit, 23-vjeçari është vëzhguar edhe nga trajneri i Kombëtares, Ari Han.

“Vetëm pas ndeshjes më thanë se trajneri i përfaqësueses kishte ardhur të ndiqte paraqitjen time”, deklaroi Berisha. “Kjo më lumturon dhe mendoj se shanset e mia për të luajtur titullar në dy ndeshjet eliminatore të radhës janë rritur”. Shqipëria pret më 28 mars Hungarinë, ndërkohë që më 1 prill kuqezinjtë luajnë në fushën e Danimarkës. Forma e kosovarit në kampionatin danez i ka trembur mediat vendase.

“Berisha mund të komprometojë ëndrrën e Danimarkës drejt Botërorit 2010”, shkruante gazeta “Ekstra Bladet”. “Shqiptari po paraqitet në mënyrë të shkëlqyer me Horsens dhe nëse vazhdon kështu, mund të na dëmtojë në sfidën e 1 prillit”. Megjithatë, në këto momente kur sulmuesi po shijon suksesin, trajneri i tij, Henrik Jansen, nuk i ka kursyer kritikat. “Sulmuesi nuk luajti edhe aq mirë, gjithsesi rezultoi deciziv, duke shënuar golin e fitores”, tha ai.

Top Channel