Erjon Bogdani kthehet te goli

16/03/2009 10:00

Erjon Bogdani është rikthyer. Pas një sezoni shumë të vështirë, të kaluar mes infermierisë, për shkak të dëmtimeve të panumërta dhe stolit të rezervave, sulmuesi gjen golin në Serinë A.

Në këtë mënyrë, pritja 12-mujore merr fund dhe lojtari mbledh frytet e punës dhe durimit të treguar në këtë periudhë. Ai nuk shënonte në kampionatin elitar që prej 20 marsit 2008, kur luante në formë huazimi te Livorno (në atë periudhë, “Er-Bomber” realizoi golin e barazimit 1-1 me Rexhinën).

31-vjeçari ishte protagonisti kryesor i Kievos në takimin që veronezët fituan 3-0 në fushën e Lacios. Bogdani, i cili nuk ishte preferuar në formacionin titullar nga trajneri Domeniko Di Karlo, u hodh në fushë në të 17-ën, pas dëmtimit të nigerianit Makinua.

Megjithatë, ka qenë pikërisht ky episod ai që i solli fat Kievos, ndërsa Bogdani rezultoi “macja e zezë” e klubit bardhkaltër. Vetëm 10 minuta pas aktivizimit, në momentin e parë të rrezikshëm të miqve, lojtari kuqezi e devijoi topin në rrjetë. Pas krosit të Frei, duke përfituar nga shtatlartësia, ai mposhti Siviljën dhe Kribarin në luftën në ajër dhe zhbllokoi rezultatin.

Lacio tronditet nga kjo goditje, por nuk arrin të rikuperohet në kohë, sepse vetëm 60 sekonda më vonë është Pelisier ai që i ngre shifrat në 2-0. Bogdani vazhdon të shfaqet rrezikshëm në portën laciale, duke shpërdoruar edhe dy mundësi të tjera mjaft të mira për shënim, i vetëm me portierin kundërshtar Muslera.

Rezultati final u vulos nga Pelisier, në të 84-ën. Për këtë fitore, që largon skuadrën për herë të parë nga “zona e ftohtë”, trajneri Di Karlo u shpreh mjaft entuziast: “Morëm tri pikë shumë të vlefshme dhe kur golat shënohen nga dy sulmuesit, kjo tregon se gjithçka po ecën mirë”.

Bogdani është vlerësuar me notën 7 për paraqitjen e tij në takimin e luajtur në stadiumin “Olimpik” të Romës. Loja dhe goli i parë i shqiptarit në këtë sezon konfirmojnë formën e mirë fizike. Sfida kundër Lacios shërben edhe si një kartolinë për trajnerin e Kombëtares, Ari Han, që po mendonte seriozisht mos ta grumbullonte “veteranin” për sfidën e 28 marsit kundër Hungarisë.

Top Channel