Besart Berisha, heroi i Horsens

16/03/2009 10:15

Besart Berisha konfirmohet si një lojtar shumë i rëndësishëm te Horsens në kampionatin elitar të Danimarkës, SAS-Ligaen. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është shndërruar në heroin e verdhezinjve, duke shënuar golin e fitores 2-1 në fushën e Nordsjellandit.

Horsens kaloi e para në avantazh me Fris, vetëm pas 13 minutave lojë, por përpara mbylljes së pjesës së parë, vendasit barazuan shifrat me Zhunior. Për të zgjidhur takimin mes dy rivaleve në garën për mbijetesë ka menduar Berisha, me golin e minutës së 52-të.

Për 23-vjeçarin kjo ishte rrjeta e tretë në dy ndeshje që prej transferimit te danezët. Një mesatare mbresëlënëse që konfirmon momentin e shkëlqyer të anëtarit të përfaqësueses kuqezi që prej largimit nga anglezët e Bërnlit. Në dy ndeshje me Besart Berishën, Horsens është larguar nga vendi i fundit në klasifikim dhe renditet e dhjeta (nga 12 skuadra) me 17 pikë.

Fakti interesant është se në vetëm 180 minuta, ish-lojtari i Hamburgut në Bundesligë i ka dhuruar skuadrës 6 pikë, sa pothuajse gjysma e pikëve që të besuarit e trajnerit Henrik Jensen kishin grumbulluar në 18 ndeshjet e para të sezonit.

Top Channel